Pas Pelosit, Tajvani vizitohet edhe nga një ekip i Kongresit Amerikan
Një delegacion i Kongresit Amerikan ka mbërritur për një vizitë të paparalajmëruar në Tajvan, 12 ditë pas një turneu në ishull nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Ambasada de-fakto e Uashingtonit në kryeqytetin Taipei, ka njoftuar se ekipi prej pesë anëtarësh i Kongresit do të jenë për vizitë në Tajvan deri të hënën.
Kujtojmë se pas vizitës së Pelosit në Tajvan, Kina nisi stërvitjet e saj më të mëdha ndonjëherë rreth ishullit, pasi Pekini e sheh vendin si territorin e tij renegat që duhet të ribashkohet me kontinentin.
Kina beson se nëse përpjekjet e tjera për bashkim me ishullin do të jenë të pasuksesshme, do të jetë i nevojshëm përdorimi i forcës.
Nancy Pelosi u bë politikania më e vjetër amerikane që vizitoi ishullin në 25. Ndalesa e saj e shkurtër, por e diskutueshme, u etiketua si “ e papërgjegjshme dhe irracionale" nga ministri i jashtëm kinez.
Duke folur gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të Azisë Juglindore në Kamboxhia, Wang Yi këmbënguli se Tajvani "përfundimisht do të kthehej në përqafimin e atdheut".
Pekini vazhdon të kryejë stërvitje ushtarake pranë ishullit, ndërsa më herët gjatë ditës, Taipei tha se kishte zbuluar 22 avionë kinezë dhe gjashtë anije detare brenda dhe rreth ngushticës së Tajvanit.
Në kulmin e stërvitjeve ushtarake të Kinës, Tajvani ka akuzuar fqinjin e tij se po përpiqet të ndryshojë status quo-në në rajon.
Ndërsa, të dielën, ministria e jashtme e vendit publikoi foto të anëtarëve të delegacionit të Kongresit të ShBA-së që u pritën në një aeroport.
Një deklaratë nga Instituti Amerikan në Tajvan tha se vizita e ekipit ishte pjesë e një vizite më të gjerë në rajonin Indo-Paqësor. Deklarata shtoi se pesë anëtarët - të udhëhequr nga senatori demokrat Ed Markey - do të diskutojnë çështje duke përfshirë sigurinë rajonale, tregtinë dhe investimet me udhëheqësit tajvanezë.
Ndërsa, u bë e ditur se grupi do të takohet të hënën me presidenten Tsai Ing-Wen.
Zyra e Tsai tha se vizita e dytë e amerikanëve të nivelit të lartë brenda pak kohe sinjalizoi "mbështetje të fortë" për Tajvanin.
ShBA nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, megjithatë, mban një marrëdhënie të fortë me ishullin, e cila përfshin edhe shitjen e armëve për Tajvanin në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e tij.

