Pamje: Policët u tërhoqën dhe pritën gjatë, pasi i dëgjuan të shtënat në shkollën e Teksasit - NACIONALE

Pamje: Policët u tërhoqën dhe pritën gjatë, pasi i dëgjuan të shtënat në shkollën e Teksasit

4 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Gazeta amerikane, “Austin American-Statesman”, e ka siguruar videon ku shihet hyrja e policisë në shkollën e Teksasit, në të cilën një sulmues në maj vrau 19 nxënës e dy mësues.

Në pamje, sulmuesi shihet duke ecur korridorit pa u penguar nga askush, pasi kishte shtënë me armë të gjatë disa herë jashtë ndërtesës së shkollës.

Sulmuesi ndalet pak në një kënd për të parë nëse ka njerëz në pjesën tjetër të korridorit, i largon flokët nga fytyra dhe e vazhdon ecjen drejt klasave 111 dhe 112.

Disa sekonda më pas, një nxënës del nga tualeti për t’u kthyer në klasë. Kur arrin te këndi i korridorit, ai e sheh sulmuesin duke qëndruar te dera e klasës dhe më pas duke shtënë me armë.

Nxënësi kthehet dhe vrapon drejt tualetit.

Sulmuesi futet në klasë. Fëmijët bërtasin. Zjarri i armës vazhdon, ndalet, vazhdon përsëri. Kjo përsëritet disa herë.

Kalojnë gati tre minuta derisa tre policë futen në korridor dhe ecin drejt klasës. Dëgjohen të shtënat. Polici që ishte më afër klasës, tërhiqet duke vrapuar. Tërhiqen edhe dy policët e tjerë.

Në videon 77-minutëshe, e cila nuk është publikuar e plotë, shihen shumë policë të forcave shtetërore e federale, të armatosur rëndë, me jelekë anti-plumb, helmeta e disa edhe me mburoja anti-plumb, duke u endur nëpër korridor, duke folur, duke bërë thirrje në telefon, duke dërguar mesazhe, por pa hyrë ose pa bërë përpjekje për të hyrë në klasë.

Edhe pasi dëgjojnë të paktën katër të shtëna shtesë nga klasa, 45 minuta pas arritjes së forcave të sigurisë, policët pritën.

Policët i kërkuan çelësat e derës së klasës. (Më vonë, hetuesit thanë se dera nuk ishte e mbyllur me çelës.) Policët sollën gaz lotsjellës e maska kundër gazit dhe prapë, pritën.

Më në fund, policët u futën në klasë dhe e vranë sulmuesin – një orë e 14 minuta pas arritjes së policisë në vendin e ngjarjes.

Paralajmërim: Videoja përmban pamje të ndjeshme. Nuk preferohet të shikohet nga personat e ndjeshëm dhe fëmijët.

Lajme të ngjashme