Pak para zgjedhjeve, financimet ruse shkaktojnë tronditje edhe në Itali
Pretendimet e ShBA-së se Rusia u ka dhënë të paktën 300 milionë dollarë partive politike në më shumë se 22 vende, kanë shkaktuar një tronditje gjatë fushatës zgjedhore të Italisë, me liderët e krahut të djathtë që kanë mohuar raportet.
Kujtojmë se, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të martën një përmbledhje të një rishikimi të fundit të Inteligjencës amerikane lidhur me përpjekjet ruse për të ndikuar në politikën e jashtme, duke përfshirë partitë nacionaliste të ekstremit të djathtë të paidentifikuara.
Italia mban zgjedhjet kombëtare më 25 shtator, me një aleancë të djathtë partish, duke përfshirë Vëllezërit e Italisë, League dhe Forza Italia, që sipas sondazheve pritet të dalin fitues.
Por, pas raporteve të ShBA-së, Reuters raporton se, Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, ka shkruar në Twitter duke thënë se:
“Përpara 25 shtatorit, votuesit italianë kanë të drejtë të dinë nëse ndonjë nga partitë në fletët e votimit është financuar nga Putini".
"Kurrë nuk kam marrë para"
Megjithatë, udhëheqësi i Ligës, Matteo Salvini, i cili dikur e lavdëronte Putinin si "lideri më i mirë aktualisht në tokë", ka mohuar në mënyrë të përsëritur marrjen e parave nga Rusia – edhe pas vitit 2019, ku një regjistrim i zbuluar tregonte një nga ndihmësit e tij duke diskutuar një marrëveshje sekrete të naftës në Moskë.
"Unë kurrë nuk kam kërkuar dhe nuk kam marrë para, rubla, euro, dinarë apo dollarë nga Rusia," është shprehur Salvini për radion RTL të mërkurën, duke shtuar se, “ka vite që janë duke u zhvilluar këto hetime, por nuk është gjetur asgjë sepse nuk ka asgjë.”
Marrja e parave nga jashtë u mohua poashtu edhe nga liderja e “Vëllezërit e Italisë”, Giorgia Meloni, e cila është në pozicion për t'u bërë kryeministre e ardhshme, ajo poashtu ka kërcënuar të padisë një gazetë italiane që e ka pyetur nëse ajo ka marrë para ruse.
"Duhet të na sjellin provat. Por meqenëse provat nuk janë aty, kam frikë se një proces gjyqësor do të jetë i pashmangshëm," është shprehur Meloni për Radio 24.
Ndërkohë, një politikan i lartë i “Vëllëzërit e Italisë”, Adolfo Urso, i cili drejton komitetin parlamentar që mbikëqyr agjencitë kombëtare të inteligjencës, ka thënë për transmetuesin shtetëror RAI se "për momentin" nuk kishte asnjë tregues se Italia ishte një nga vendet e përfshira.
Sugjerimet se Rusia mund të ndërhyjë në fushatën zgjedhore të Italisë janë transmetuar vazhdimisht që nga rënia e qeverisë së unitetit të kryeministrit Mario Draghi në muajin korrik.
Edhe pse një treshe partish, duke përfshirë Ligën dhe Forza Italia, të gjitha me lidhje historike miqësore me Moskën, rrëzuan qeverinë e Draghit, ato hodhën poshtë akuzat e kundërshtarëve se kanë biseduar më Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Duke mos dhënë shumë detaje, vetë Draghi në muajin korrik ka thënë para parlamentit se “Italia duhet të shtojë përpjekjet për të luftuar ndërhyrjen nga Rusia dhe autokracitë e tjera në politikën e vendit”.


