Shqipëria në listën e vendeve ku Rusia shpenzoi mbi 300 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhje
Duke cituar Komunitetin e Inteligjencës amerikane, CNN shkruan se një zyrtar i lartë i administratës Biden, ka thënë se që nga viti 2014, Rusia u ka transferuar fshehurazi mbi 300 milionë dollarë partive të huaja politike anembanë globit.
“Në rishikimin e saj, IC (komuniteti i inteligjencës) ka zbuluar se Rusia ka transferuar në mënyrë të fshehtë mbi 300 milionë dollarë dhe ka planifikuar të transferojë fshehurazi të paktën qindra milionë më shumë te partitë e huaja politike, zyrtarët dhe politikanët në dhjetëra vende dhe në katër kontinente në këtë periudhë", është shprehur zyrtari për gazetarët.
Zyrtari amerikan shtoi se, “Rusia është e motivuar nga përpjekja për të përfituar parti specifike politike dhe për të minuar demokracinë në të gjitha këto vende”.
Ai bëri të ditur se ShBA-ja i ka ndarë këto zbulime si dhe hapat që mund të ndërmerren për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, me vendet e ftuara në Samitin për Demokraci që do të mbahet në dhjetor. Poashtu ai njoftoi se ShBA është duke i informuar në heshtje edhe vendet që janë ndikuar.
Më tej ai shtoi se, administrata Biden shpreson se do të ketë një sërë përfitimesh nga ndarja e këtij informacioni publikisht, duke përfshirë: rritjen e ndërgjegjësimit global për kërcënimin e financimit të fshehtë politik rus, nxitjen e vendeve të tjera që t'i japin ShBA-së informacione për operacionet e Rusisë dhe duke e bërë të qartë se ndikimi i fshehtë politik i Rusisë është një "dukuri globale që kërkon veprim të koordinuar".
Sipas CNN, zyrtari ka thënë se fakti që ky informacion tani është publik, i është njoftuar edhe Rusisë dhe partive që ajo mbështetë.
“Duke hedhur këtë dritë mbi financimin e fshehtë politik rus dhe përpjekjet ruse për të minuar proceset demokratike, ne po i vëmë në dijeni këto parti dhe kandidatë të huaj se nëse pranojnë paratë ruse fshehurazi, ne mund dhe do t'i ekspozojmë ato,” tha zyrtari.
“Një sfidë e madhe” për ShBA-në
Për shkak të “ndikimit malinj” të Rusisë, në muajin korrik administrata Biden ka njoftuar sanksione ndaj saj.
Ky njoftim erdhi një ditë pasi programi Shpërblime për Drejtësi i Departamentit të Shtetit, njoftoi shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), lideri i së cilës është Yevgeny Prigozhin – një aleat kryesor i presidentit rus Vladimir Putin.
Por, administrata Biden beson se është e rëndësishme të pranohet se ndërhyrja ruse nuk është vetëm një sfidë e veçantë për SHBA-në.
“Qëllimi i kësaj fushate ekspozimi është të shikojmë përtej Shteteve të Bashkuara pa mohuar se ky është një shqetësim dhe një cenueshmëri që kemi këtu. Por ne donim të përdornim fushatën e ekspozimit për të vendosur kontekstin tonë në kuadrin më të gjerë të sfidës së ndikimit të fshehtë politik rus, i cili është në natyrë globale, siç e bën kaq të qartë analiza e IC, "tha zyrtari.
"Ne e kemi të qartë se është në vazhdim, është e përhapur, është globale," ka shtuar ai më tej.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, u ka dërguar të hënën një kabllogram ambasadave në mbarë botën, ku detajohen gjetjet e këtij rishikimi nga komuniteti i inteligjencës.
Ndërhyrja globale e Rusisë është dokumentuar në disa raste, duke përfshirë Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ndërsa, në kabllogramin e Blinken thuhej se rishikimi i komunitetit të inteligjencës amerikane përfshinte ndërhyrjen ruse në më shumë se 20 vende.
“Për Rusinë, përfitimet e ‘financimit të fshehtë politik’ janë të dyfishta: zhvillimi i ndikimit mbi individët dhe partitë përfituese, dhe për të rritur gjasat që ato parti të performojnë mirë në zgjedhje. Marrëdhëniet e fshehura midis këtyre partive dhe dashamirësve të tyre rusë minojnë integritetin dhe besimin e publikut në institucionet demokratike”, thuhet në kabllogramin e dërguar nga Blinken.
Bëhet e ditur se Blinken ka detajuar edhe metodat e ndërhyrjes së Rusisë, duke përfshirë dhuratat luksoze, paratë e gatshme ose kriptovalutat, lëvizjen e fondeve përmes kompanive guaskë dhe grupeve të mendimit si dhe përdorimin e llogarive dhe burimeve të ambasadës ruse.


