Rusia thotë se Putini po mundohet t’i ulë tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit - NACIONALE

Rusia thotë se Putini po mundohet t’i ulë tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, raportohet se është duke bërë përpjekje për t’u dhënë fund luftimeve mes Armenisë dhe Azerbajxhanit pas vrasjes së 49 ushtarëve armenë dhe shkaktimit të frikës për luftë të re mes dy ish-republikave sovjetike.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca bënë thirrje për përmbajtje pas luftimeve më vdekjeprurëse që nga lufta gjashtëjavore për enklavën Nagorno-Karabak më 2020.

“Është vështirë që të mbivlerësohet roli i Federatës Ruse, roli i Putinit personalisht. Presidenti në mënyrë të natyrshme po bën çdo përpjekje për ta ndihmuar deeskalimin e tensioneve në kufi”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Armenia tha se disa qyteza në kufi me Azerbajxhanin, përfshirë qytezat Jermuk, Goris dhe kapan, u bombarduan në orët e hershme të së martës. Jerevani tha se i është kundërpërgjigjur atij që e quajti “provokim të shkallës së lartë” nga Azerbajxhani.

Në anën tjetër, Azerbajxhani tha se është sulmuar nga Armenia. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë menjëherë raportimet e asnjërës palë për zhvillimet në fushëbetejë.

Rusia, që në shkurt dërgoi dhjetëra mijëra ushtarë në Ukrainë si pjesë e pushtimit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, është ndërmjetësuese e marrëveshjes së armëpushimit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, e akuzoi Azerbajxhanin për sulm ndaj qytezave armene, sepse nuk po dëshiron që të bisedojë për statusin e Nagorno-Karabakut, enklavë që shtrihet brenda Azerbajxhanit, por që ka popullsi kryesisht armene.

Sipas kryeministrit armen, intensiteti i veprimeve armiqësore është ulur, por sulmet nga Azerbajxhani po vazhdojnë.

Azerbajxhani e akuzoi Armeninë për kryerje të aktiviteteve të inteligjencës përgjatë kufirit dhe për lëvizje të armëve, tha se pozicionet ushtarake azere u sulmuan nga forcat armene. Autoritetet azere thanë se kanë pësuar humbje në njerëz, por nuk e publikuan shifrën.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bënë thirrje për përmbajtje nga të dyja palët. “Siç kemi bërë të qartë për një kohë të gjatë, nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Ne bëjmë thirrje për përfundim të çfarëdo armiqësie ushtarake menjëherë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë than ë një deklaratë se konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit “duhet të zgjidhet ekskluzivisht përmes mjeteve politike e diplomatike”.

Ministrat e Mbrojtjes të Armenisë dhe Rusisë biseduan të martën në mëngjes dhe u pajtuan që të bëjnë hapa për ta stabilizuar situatën në kufi. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, bisedoi me homologun e tij azer, Jeyhun Bayramov, dhe i bëri thirrje Armenisë që t’i “ndalë provokimet e saj”./Nacionale

Lajme të ngjashme