Kryeministri Pashinian thotë se 49 ushtarë armenë janë vrarë në luftimet me Azerbajxhanin - NACIONALE

Kryeministri Pashinian thotë se 49 ushtarë armenë janë vrarë në luftimet me Azerbajxhanin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Armenisë, Nikol pashinian, tha se 49 ushtarë armenë kanë vdekur gjatë përleshjeve natën e kaluar me Azerbajxhanin, raportoi agjencia e lajmeve, “Interfax”.

Në një fjalim që e mbajti në kuvendin e Armenisë, kryeministri Pashinian tha se Azerbajxhani i ka sulmuar pozicionet armene gjatë natës dhe se luftimet janë duke vazhduar.

Armenia dhe Azerbajxhani e kanë fajësuar njëra-tjetrën për eskalimin e veprimeve armiqësore, që janë përkeqësimi më i ri në tensionet e vjetra me dekada mes dy vendeve me raporte të acaruara për shkak të enklavës Nagorno-Karabak.

Më herët, Armenia dhe Azerbajxhani raportuan për përleshje të reja kufitare mes trupave të tyre në orët e para të së martës. Raportohet për numër të panjohur të të vrarëve. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive mes dy shteteve me raporte të acaruara.

“Në orën 00:05 të martën, Azerbajxhani nisi bombardime intensive, me artileri dhe armë zjarri të kalibrit të madh, kundër pozicioneve ushtarake armene në drejtim të qyteteve Goris, Sotk dhe Jermuk”, tha Ministria e Mbrojtjes e Armenisë.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit e akuzoi Armeninë për “akte armiqësore të shkallës së lartë” afër distrikteve Dashkesan, Kelbajar dhe Lacin në kufi, duke shtuar se pozicionet ushtarake azere “janë vënë nën zjarr, përfshirë mortajat e llogoreve”.

“Ka humbje në mesin e ushtarëve (azerë)”, shtoi kjo ministri, pa dhënë shifra. Armenia nuk përmendi humbje në njerëz, por tha se përleshjet kanë vazhduar gjatë natës.

Armenia e humbi kontrollin në disa pjesë të enklavës së Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve përreth tij pas luftës gjashtëjavore në fund të vitit 2020, në të cilën u vranë mbi 6.500 njerëz dhe e cila përfundoi me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia. Rreth 2.000 trupa paqeruajtëse ruse janë dërguar në zonën e ndjeshme për ta mbikëqyrur situatën./Nacionale

Lajme të ngjashme