Azerbajxhani thotë se ka shtypur një sulm armen, BE-ja kërkon ndërprerje të luftimeve - NACIONALE

Azerbajxhani thotë se ka shtypur një sulm armen, BE-ja kërkon ndërprerje të luftimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Azerbajxhani tha se forcat e tij kanë shtypur një sulm armen afër enklavës së kontestuar të Nagorno-Karabakut të mërkurën, duke nxitur thirrje ndërkombëtare për t’u dhënë fund luftimeve në një rajon që ka qenë “pikë e nxehtë” në tri dekadat e fundit.

Nagorno-Karabaku ishte ndarë nga Azerbajxhani me përkrahjen e Armenisë pas një konflikti të përgjakshëm etnik në vitet e nëntëdhjeta. Më 2020, Azerbajxhani me sukses mori nën kontroll një pjesë të territorit të kontrolluar nga separatistët.

Sipas pikave të marrëveshjes së armëpushimit, trupat paqeruajtëse ruse u dërguan në zonë për ta mbrojtur pjesën e mbetur nën kontrollin e separatistëve. Sidoqoftë, të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit dhe dhuna ka shpërthyer në ditët e fundit.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se Armenia e ka shkelur rëndë armëpushimin duke kryer një akt sabotimi, me ç’rast u vra një ushtar. Për më tepër, Bakuja tha se forcat azere kanë zmbrapsur një përpjekje armene për të marrë nën kontroll një kodër në një zonë të kontrolluar nga paqeruajtësit rusë.

“Si rezultat, ata që po luftonin për formacionet e armatosura ilegale armene u vranë dhe u lënduan”, tha ministria azere në një deklaratë, duke kërkuar që të gjitha trupat armene të tërhiqen nga zona dhe duke premtuar kundërmasa shkatërrimtare, nëse është e nevojshme.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Armenisë tha se Azerbajxhani e ka shkelur armëpushimin duke kryer një sulm në zonat e kontrolluara nga paqeruajtësit. Në një deklaratë, kjo ministri tha se Jerevani dëshiron që komuniteti ndërkombëtar “të ndërmarrë masa drejt ndaljes së sjelljes dhe veprimeve agresive të Azerbajxhanit”.

Bashkimi Evropian bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të sjelljeve armiqësore dhe tha se të dyja palët duhet ta respektojnë armëpushimin. Thirrje të ngjashme bëri edhe udhëheqësi polka i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Për situatën e tensionuar reaguan edhe Shtetet e Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara dhe po i ndjekin për së afërmi raportimet për luftime intensive përreth Nagorno-Karabakut, përfshirë pasojat dhe humbjen e jetës. Ne bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm që të ulen tensionet dhe të shmanget eskalimi i mëtejmë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Më herët, autoritetet separatist në enklavën armene shpallën mobilizim të pjesshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Rusia tha se situata në zonat e kontrolluara nga paqeruajtësit e saj po bëhet më e tensionuar dhe raportoi për të paktën një shkelje të armëpushimit nga forcat azere, raportoi agjencia “Interfax”./Nacionale

Lajme të ngjashme