Pak ditë para zgjedhjeve, Erdogani u premton turqve gaz falas - NACIONALE

Pak ditë para zgjedhjeve, Erdogani u premton turqve gaz falas

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, të enjten e shtypi pullën për dërgesën e parë të gazit nga një rezervë e zbuluar në Detin e Zi në një qendër përpunimi në territor tokësor dhe premtoi se do të ofrohet gaz natyror falas për amvisëri para zgjedhjeve të 14 majit.

Kjo ceremoni ishte përpjekja më e re e pushtetit që të paraqesë projekte të mëdha për energjinë dhe infrastrukturën para zgjedhjeve. Sipas anketave, Erdogani mund ta humbë garën pas dy dekadave në pushtet, raporton agjencia "Reuters".

"Ne do të ofrojmë gaz natyror falas për shfrytëzim nga amvisëritë deri në 25 metra kub në muaj për një vit"- tha presidenti turk gjatë inaugurimit të një porti të gazit natyror në provincën Zonguldak, e cila shtrihet në pjesën veriore të Turqisë, në brigjet e Detit të Zi.

Ai shtoi se gazi natyror do të jetë falas për të gjitha amvisëritë e pa kufizim sasie gjatë muajit të ardhshëm.

Gazi natyror u zbulua fillimisht në fushën "Sakarya", afër bregdetit të Zonguldakut më 2020 dhe në fushën "Caycuma-1" vitin e kaluar. Vlerësohet se sasia e gazit në këto fusha është 710 miliardë metra kub.

Turqia, shtet që ka pak rezerva të naftës dhe gazit, varet shumë nga importet nga Rusia, Azerbajxhani, Irani, Katari, Shtetet e Bashkuara, Nigeria e Algjeria.

Erdogani tha se në fushat e gazit në Detin e Zi do të nxirren fillimisht dhjetë milionë metra kub gaz në ditë, ndërsa kjo sasi do të shkojë në 40 milionë metra kub gaz në ditë në periudhën e ardhshme.

"Kur ta arrijmë kapacitetin e plotë, do të mund të plotësojmë përafërsisht 30 për qind të konsumit vendës në vit nga ky vend"- tha presidenti turk.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare e përfaqësojnë sfidën më të madhe zgjedhore për udhëheqësin me pushtetin më të gjatë në Turqi në periudhën moderne, pasi kriza e kostos së jetesës e ka gërryer mbështetjen e popullit për Erdoganin. Kandidati i opozitës, Kemal Kilicdaroglu, prin në sondazhe.

Qeveria turke ka paraqitur një varg projektesh të mëdha në infrastrukturë dhe mbrojtje. Javën e ardhshme, Erdogani pritet ta inaugurojë reaktorin e parë të energjisë bërthamore në Turqi, i cili është ndërtuar nga kompania shtetërore ruse për energji bërthamore, "Rosatom".

Lajme të ngjashme