Analizë nga Reuters: Erdogani po i zmadhon sukseset diplomatike me sy nga zgjedhjet - NACIONALE

Analizë nga Reuters: Erdogani po i zmadhon sukseset diplomatike me sy nga zgjedhjet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një varg fitoresh diplomatike, të përmbyllura me marrëveshjen për rifillimin e eksportimit të drithërave të Ukrainës, i ofron ca çlirim presidentit turk, Rexhep Erdogan, nga problemet ekonomike të Turqisë dhe e paraqesin planin e strategjisë së tij për fushatë për zgjedhjet e viti të ardhshëm.

Reuters

Përderisa po përgatitet për atë që po formësohet si sfida më e madhe zgjedhore për pushtetin e tij gati 20-vjeçar, presidenti po i zmadhon arritjet e tij në skenën globale.

“Turqia po kalon nëpër periudhën e vet më të fuqishme politikisht, ushtarakisht dhe në diplomaci”, tha ai para mijëra njerëzve në veriperëndim të Turqisë në fundjavë, një ditë pas takimit me homologun rus, Vladimir Putin.

Përparimi në fushën ndërkombëtare paraqet kontrast ndaj pamjes së zymtë ekonomike në atdhe. Inflacioni ka shkuar në 79 për qind, ndërsa vlera e lirës është afër nivelit më të ulët, në të cilin kishte rënë gjatë krizës së dhjetorit.

Kundërshtarët i fajësojnë politikat e pazakonshme ekonomike të Erdogan-it, përfshirë një varg të uljeve të shkallës së interesit pavarësisht nga inflacioni i lartë dhe shkarkimin e tre guvernatorëve të Bankës Qendrore nga viti 2019, që e kanë lënë vendin me deficit të madh dhe të varur nga financimi i jashtëm për ta përkrahur ekonominë.

Erdogan-i tha se frytet e politikave ekonomike të qeverisë – me të cilat u jepet përparësi eksporteve, prodhimit dhe investimeve – do të bëhen më të qarta në çerekun e parë të vitit të ardhshëm.

Pozita ndërkombëtare

Në ndërkohë, zyrtarë qeveritarë dhe anëtarë të lartë të partisë në pushtet, AK Parti, e portretizojnë presidentin si burrështetas që qëndron kundër rivalëve elektoralë që nuk i afrohen aspak arritjeve të tij ndërkombëtare.

“Ju pëlqeu apo jo, Erdogan-i është lider. Nuk ka lider në Turqi që mund ta zëvendësojë atë”, tha një zyrtar i lartë turk, duke argumentuar se asnjë figurë tjetër ndërkombëtare nuk e ka nivelin e njëjtë të kontakteve me lojtarë kyçë globalë.

Pakti për rifillimin e eksporteve nga Ukraina, të ndërprera që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt, do të mund ta lehtësonte mungesën e drithërave, që ka lënë miliona njerëz në rrezik nga uria dhe që i ka ngritur çmimet globale të ushqimit.

E ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, marrëveshja erdhi pasi Erdogan-i siguroi koncesione nga NATO-ja për pranimin e Suedisë e Finlandës dhe nisi një afrim me fuqitë rivale në Lindjen e Mesme.

Erdogan-i gjithashtu fitoi një zotim në qershor nga presidenti amerikan, Joe Biden, se amerikani do ta përkrahte shitjen e aeroplanëve luftarakë “F-16” në Turqi, pasi Uashingtoni ia bllokoi Ankarasë blerjen e aeroplanëve më të avancuar, “F-35”, për shkak të blerjes së një sistemi raketor rus.

Testi zgjedhor

Pushtetar me pushtet të gjatë e figura më mbizotëruese politike që nga themelimi i Turqisë moderne nga Mustafa Kemal Ataturku para gati një shekulli, Erdogan-i ballafaqohet me zgjedhje parlamentare e presidenciale që duhet të mbahen deri në qershor të vitit 2023.

Sipas një ankete të javës së kaluar, vërehet një rritje e vogël e përkrahjes për partinë e tij – 33.8 për qind, që është shifra më e madhe në krahasim me përkrahjen për partitë e tjera. Po ai ballafaqohet edhe me një aleancë të çlirët të partive opozitare dhe, sipas anketave, ai ka më pak përkrahje se kandidatët e opozitës për president.

Shqetësimet kryesore të votuesve janë gjendja e ekonomisë dhe prania e 3.6 milionë refugjatëve sirianë, të mirëpritur nga Turqia në fillim të konfliktit të Sirisë, por gjithnjë më shumë të parë nga turqit si konkurrentë për vende pune e shërbime.

“Qeveria po e përdor politikën e jashtme si material për ta mbuluar katastrofën ekonomike në të cilën e ka futur vendin, duke treguar përralla të “fitores diplomatike” në shtëpi”, tha Erdogan Toprak, ligjvënës i partisë kryesore opozitare, CHP, dhe këshilltar i lartë i kryetarit të saj, Kemal Kilicdaroglu.Toprak-u tha se edhe në rrafshin diplomatik, Erdogan-i po bën koncesione që “e dëmtojnë dinjitetin e vendit tonë dhe e fusin atë në dobësi”.

Toprak-u tha se edhe në rrafshin diplomatik, Erdogan-i po bën koncesione që “e dëmtojnë dinjitetin e vendit tonë dhe e fusin atë në dobësi”.

Riparimi i lidhjeve rajonale

Erdogan-i, që u kishte mbijetuar protestave të mëdha anti-qeveritare më 2013 e tentimit për puç më 2016, është munduar që t’i riparojë lidhjet e tendosura me fuqitë e tjera të Lindjes së Mesme, pjesërisht me shpresë që të tërheqë fonde të jashtme, që janë shumë të nevojshme.

Emiratet e Bashkuara Arabe, rivale të Turqisë në luftën civile të Libisë dhe në një mosmarrëveshje të Gjirit Persik për Katarin, u është bashkuar Kinës, Katarit dhe Koresë Jugore në marrëveshjet për shkëmbimin e valutave me Ankaranë me vlerë të përgjithshme prej 28 miliardë dollarësh. Turqia po shpreson për marrëveshje edhe me Arabinë Saudite dhe ka bërë lëvizje për t’i përmirësuar raportet me Egjiptin e Izraelin.

“Votuesit janë të vetëdijshëm për përfitimet nga diplomacia. Kohë pas kohe ata do të ankohen për ekonominë ose refugjatët, por do të votojnë për Erdogan-in për vazhdimin e një Turqie efektive”, tha një zyrtar i partisë AK Parti.

Kyç për diplomacinë e Erdogan-it në Lindjen e Mesme dhe përtej saj është ai që presidenti turk e ka quajtur “mirëkuptimi i përbashkët, i mbështetur në besim dhe respekt të ndërsjellë” me Putin-in – një raport që po shkakton gjithnjë më shumë shqetësim te partnerët e Turqisë në NATO që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Rusia thotë se është duke zhvilluar një “operacion special ushtarak” për t’ia hequr qafe nacionalistët Ukrainës dhe për t’i mbrojtur komunitetet rusishtfolëse.

Turqia është përpjekur që të vendosë një baraspeshë duke e kritikuar pushtimin rus e duke i ofruar armë Ukrainës, përderisa ka refuzuar që t’i bashkohet Perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë. Turqia thotë se ky qëndrim ka ndihmuar që përpjekjet e saj të ndërmjetësimit të korrin rezultate.

“Duke e siguruar hapjen e korridorit të drithërave ne e konfirmuar përsëri rolin kyç të Turqisë në zgjidhjen e problemeve globale”, tha Erdogan-i të shtunën.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme