Ora e Hitlerit shitet për 1.1 milion dollarë në një ankand në ShBA - NACIONALE

Ora e Hitlerit shitet për 1.1 milion dollarë në një ankand në ShBA

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Një orë që thuhet se i përkiste liderit nazist Adolf Hitler është shitur për 1.1 milion dollarë në një ankand në ShBA.

Sipas BBC-së, ora Huber, e cila i është shitur një ofertuesi anonim, përmbante një svastikë dhe kishte inicialet AH të gdhendura në të.

Mbajtja e këtij ankandi u dënua nga liderët hebrenj, megjithatë shtëpia e ankandeve - e cila ka shitur relika naziste në të kaluarën - u tha mediave gjermane se qëllimi i saj ishte ruajtja e historisë.

Adolf Hitleri ka udhëhequr Gjermaninë naziste midis viteve 1933 dhe 1945, duke orkestruar vrasjen sistematike të rreth 11 milionë njerëzve - gjashtë milionë prej të cilëve janë vrarë nga fakti se ishin hebrenj.

Sipas katalogut të produkteve, për orën Huber thuhet se ajo mund t;i ishte dhënë Hitlerit si dhuratë ditëlindjeje në vitin 1933, viti kur ai u bë kancelar i Gjermanisë.

Ndërsa, në një vlerësim nga shtëpia e ankandeve thuhet se ora është marrë si një suvenir kur 30 ushtarë francezë kishin sulmuar vendstrehimin malor të Hitlerit, Berghof, në vitin 1945.

Më pas mendohet se ora ishte rishitur duke kaluar nëpër disa breza deri tani.

Në ankandin e mbajtur në Maryland, ndodheshin edhe artikuj të tjerë nga koha e Hitlerit - një fustan që i përkiste gruas së Hitlerit, Eva Braun, një fotografi me autograf të zyrtarëve nazistë dhe një pëlhurë e verdhë Ylli i Davidit që mbante të shtypur fjalën "Jude", në gjermanisht hebre.

Kujtojmë se, gjatë holokaustit, nazistët i detyruan hebrenjtë të mbanin identifikuesit e verdhë si shirita ose distinktivë, me qëllimin për t'i izoluar dhe sulmuar ata.

Por, një letër e hapur e nënshkruar nga 34 liderë hebrenj e përshkroi shitjen si "të neveritshme" dhe bënte thirrje që sendet naziste të tërhiqeshin nga ankandi.

E në orën e shitur për mbi 1 milion dollarë, duket se kishte tre data të gdhendura - ditëlindja e Hitlerit, dita kur u bë kancelar gjerman dhe dita kur partia naziste fitoi zgjedhjet

Rabini Menachem Margolin, kryetar i Shoqatës Evropiane të Hebrenjve tha se transaksioni u ka dalë në "ndihmë atyre që idealizojnë atë që përfaqësonte partia naziste".

"Ndërsa është e qartë se mësimet e historisë duhet të mësohen - dhe artefaktet legjitime naziste u përkasin muzeumeve ose vendeve të arsimit të lartë - artikujt që po shitni qartë se nuk i përkasin," shkroi ai.

Duke folur me shtypin gjerman përpara shitjes, Alexander Historical Auctions tha se qëllimi ishte të ruante historinë me shumicën e artikujve të shitur, të mbajtura në koleksione private ose të dhuruara për muzetë e Holokaustit.

"Qoftë histori e mirë apo e keqe, ajo duhet të ruhet," është shprehur për Deutsche Welle nënpresidentja e lartë Mindy Greenstein. “Nëse e shkatërron historinë, nuk ka asnjë provë që ka ndodhur”.

Ndërsa, dokumentet e ofruara nga shtëpia e ankandeve thonë se nuk mund të sigurojë prova se Hitleri në të vërtetë e mbante orën. Por një vlerësim nga një specialist i pavarur arriti në përfundimin se "me të gjitha gjasat" ora i përkiste Adolf Hitlerit.

Pavarësisht se ora ka arritur vlerën mbi 1 milion dollarë, ajo nuk ka arritur shumën në të cilën ishte vlerësuar nga shtëpia e ankandit që ishte 2 deri në 4 milionë dollarë.

Lajme të ngjashme