Një jetë e marrë e një e shkatërruar: Gruaja zemërthyer qan mbi trupin e bashkëshortit të vrarë nga forcat e Putinit
Një grua zemërthyer duket duke qarë mbi kufomën e gjakosur të burrit të saj, pasi ai u godit nga bombardimet ruse në Kharkiv në sulmin e fundit të Putinit ndaj civilëve.
Sabina qante e pikëlluar teksa përqafonte trupin e Artem Pogorelets, i cili ishte i mbështjellë me batanije të lyera me gjak në tregun e Barabashovo. Ndërsa, punonjësit e emergjencës po përpiqeshin ta ngushëllonin pasi shpërthimi vrau atë dhe një person tjetër duke lënë të plagosur edhe 21 të tjerë.

Bombardimi në Kharkiv goditi një xhami, një objekt mjekësor, një stacion autobusi, një palestër dhe një ndërtesë banimi.
E vetëm një ditë më parë, një sulm tjetër la të vrarë tre persona në Kharkiv, vend qe dukej se i ishte kthyer jetës normale pas largimit të trupave ruse.
Por, kujtojmë se dje Rusia përsëriti planet e saj për të kapur territore përtej Ukrainës lindore, ku ushtria ruse ka kaluar muaj të tërë duke u përpjekur të pushtojë rajonin e Donbasit të Ukrainës, që është në jug të Kharkiv.
Edhe zyrtarët ukrainas së fundmi transmetuan planet e tyre për të provuar të rimarrin zonat e pushtuara nga Rusia pranë bregut jugor të Detit të Zi të vendit.
Duke folur për sulmet e së enjtes, kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov tha se ato kishin në shënjestër një nga zonat më të mbushura me njerëz.

“Ne po kërkojmë nga banorët e Kharkiv që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm. Armiku qëllon në mënyrë kaotike dhe brutalisht mbi qytetin. Qëndroni në strehimore!' ka shkruar pas sulmit, guvernatori Oleg Synegubov.
Syniehubov, tha se katër persona ishin në gjendje të rëndë, ndërsa bëri të ditur se në mesin e të plagosurve ishte edhe një fëmijë. Ai po ashtu tha se forcat ruse kanë granatuar edhe fushat me grurë duke u vënë zjarrin.
Gjatë natës, forcat ruse po ashtu bombarduan qytetin jugor të Mykolaiv si dhe qytetet lindore të Kramatorsk dhe Kostiantynivka.
Sulmet e fundit ruse duket se ilustrojnë synime më të gjera të luftës përtej fokusit të deklaruar më parë nga Rusia për provincat Donetsk dhe Luhansk në Donbas.

Në një intervistë për median shtetërore, ministri i Jashtëm Sergej Lavrov u shpreh se Rusia planifikon të mbajë kontrollin mbi më shumë territore, duke përfshirë rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia në jug.
Strategjia aktuale e Moskës gjithashtu parashikon arritjen diku tjetër, tha Lavrov. Ndërsa komentet e tij treguan se në vend që lufta të ndalojë në javët në vazhdim mund të ndizet edhe më tej.

