Nigeri thotë se 29 ushtarë i janë vrarë në pritë nga kryengritësit
Së paku 29 ushtarë të Nigerit janë vrarë në një pritë të organizuar nga kryengritësit afër kufirit të këtij shteti me Malin, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Ky është sulmi më vdekjeprurës që nga marrja e pushtetit nga ushtria përmes puçit në korrik.
Qeveria ushtarake mohoi se kishte pranuar një ofertë nga Algjeria për të vepruar si ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës politike, edhe pse Algjeria kishte thënë të hënën se kishte pranuar njoftim zyrtar për pranimin e ofertës nga Nigeri, raporton agjencia “Reuters”.
Nigeri dhe fqinjët e tij, Mali e Burkina Faso, që gjithashtu udhëhiqen nga qeveri ushtarake që e kanë marrë pushtetin përmes puçeve, po ballafaqohen me militantë të lidhur me grupet “Al-Qaeda” dhe ISIS, që kanë vrarë mijëra njerëz e kanë zhvendosur mbi dy milionë të tjerë në rajonin e Sahelit. Këto vende nënshkruan një pakt sigurie muajin e kaluar, duke i premtuar njëri-tjetrit mbrojtje kundër rebelëve ose agresorëve.
Sulmi në Niger ndodhi përderisa ushtarët po ktheheshin nga operacionet kundër militantëve. Ata u vunë në shënjestër nga më shumë se 100 sulmues në automjete e motoçikleta duke përdorur mjete shpërthyese e sulmues vetëvrasës.
“Numri i përkohshëm i pasojave në njerëz është si në vijim, 29 ushtarë ranë në betejë dhe dy u plagosën”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, që u lexua në televizionin kombëtar. U tha se dhjetëra militantë janë vrarë.
Në deklaratë nuk u tha se cili grup ishte përgjegjës për këtë sulm ose kur saktësisht kishte ndodhur rasti, por u raportua se operacioni ushtarak është zhvilluar mes datave 26 shtator e 2 tetor.
