Ngritja në pushtet e kryeministres së re të Italisë, Giorgia Meloni
Ngritja e saj në pushtet në krye të partisë që ajo themeloi ka qenë meteorike, por Giorgia Meloni ka qenë politikisht aktive që kur ishte një aktiviste adoleshente në krahun rinor të një partie neofashiste në Romë.
Tani në moshën 45-vjeçare, Meloni ka pranuar rolin e kryeministres së parë femër të Italisë, megjithëse ka zgjedhur një qeveri në të cilën vetëm një në katër ministra janë gra.
Ardhja e Melonit në pushtet, pjesërisht ka qenë fat, pasi partia e saj “Vëllëzërit e Italisë” ishte një nga të paktat që zgjodhi të mos bashkohej me qeverinë e unitetit kombëtar të Mario Draghit.
Edhe pse ka udhëhequr partinë e saj për 10 vjet, përvoja e saj në qeveri është e kufizuar në një periudhë si ministrja më e re e Italisë në qeverinë e Berlusconit nga 2008-11. Ndërsa, në shtator partia e saj fitoi zgjedhjet me 26% të votave, edhe pse katër vjet më parë kishte marrë vetëm 4.3%.
“Italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë”, kështu u shpreh Meloni pas fitores së saj në zgjedhje.
Bashkë me partnerët e saj nga Liga e ekstremit të djathtë dhe të qendrës së djathtë të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, Meloni ka krijuar një shumicë të fortë për të drejtuar programin e saj.
Kryeministrja e re ka premtuar të qeverisë "për të gjithë" dhe ka kërkuar të sigurojë aleatët e Italisë si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian se nuk do të ketë ndryshim në lidhje me politikën e jashtme. Një pikë kjo mjaft e rëndësishme pasi, si Matteo Salvini që drejton Ligën ashtu edhe Silvio Berlusconi kanë qenë admirues të fortë të Vladimir Putinit.
"Giorgia Meloni vjen nga një sfond kulturor post-fashist, por kohët e fundit ajo ka marrë një pozicion shumë të moderuar dhe ka deklaruar se nuk do të ndryshojë politikën e (paraardhësit Mario Draghi) për Ukrainën," kështu ka thënë për BBC, shkencëtari politik italian Prof Roberto D'Alimonte.
Një vështrim në përbërjen e dy dhomave të parlamentit të Italisë tregon shumicën e fortë që ajo ka mundur të grumbullojë me partinë e saj të mbështetur nga Forza Italia dhe Liga, pasi partitë e qendrës dhe të majta nuk arritën të gjenin një bazë të mjaftueshme të përbashkët për të sfiduar ofertën e saj për pushtet.
E edhe pse, tani për tani koalicioni i saj duket i bashkuar, ky unitet mund të mos zgjasë shumë, veçanërisht pasi Forza Italia në krye me ish-kryeministrin veteran Silvio Berlusconi mund të bëhet një aleat i vështirë.

