New York Times: Rusia po furnizohet me armë nga Korea e Veriut - NACIONALE

New York Times: Rusia po furnizohet me armë nga Korea e Veriut

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Mediat amerikane kanë raportuar se Rusia është detyruar të blejë pajisje ushtarake nga Korea e Veriut, pasi sanksionet kanë kufizuar aftësinë e saj për të furnizuar ushtrinë.

Sipas inteligjencës së deklasifikuar të marrë nga New York Times, Rusia ka blerë miliona predha artilerie dhe raketa nga Pheniani.

Ndërkohë, edhe një zyrtar amerikan ka thënë se ndërsa lufta zvarritet, Rusia do të detyrohet të blejë më shumë armë shtesë nga Korea e Veriut.

Sipas raporteve, Moska tashmë ka pranuar edhe porosinë e parë të dronëve të rinj iranianë.

Si Korea e Veriut ashtu edhe Irani, të dyja objektiva të sanksioneve të rëndësishme perëndimore, kanë kërkuar të thellojnë lidhjet me Rusinë që kur presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e tij në Ukrainë në muajin shkurt.

Kujtojmë se, regjimi i Kim Jong-un ka fajësuar ShBA-në për konfliktin dhe ka akuzuar Perëndimin se po ndjek një "politikë hegjemoniste", duke justifikuar përdorimin e forcës nga Rusia.

Muajin e kaluar, Korea e Veriut njohu pavarësinë e dy shteteve përfaqësuese të Rusisë në Ukrainën lindore - Republikave Popullore të Donetsk dhe Luhansk - dhe u zotua të thellojë "miqësinë e saj" me Moskën. Ndërsa, sipas medias shtetërore të Phenianit, Vladimir Putin tha se të dy vendet do të zgjerojnë "marrëdhëniet e tyre gjithëpërfshirëse dhe konstruktive".

Deri më tani, numri i dërgesave të armëve të reja të zbuluara nga raporti nuk është bërë i ditur.

Por një zyrtar amerikan ka thënë për Associated Press se kthimi i Rusisë në Korenë e Veriut për mbështetje tregoi se "ushtria ruse vazhdon të vuajë nga mungesa të rënda të furnizimit në Ukrainë, pjesërisht për shkak të kontrolleve të eksportit dhe sanksioneve".

Ndërkohë, sipas institutit finlandez Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, sanksionet e gjera ekonomike kanë bërë pak për të dëmtuar të ardhurat e Rusisë nga eksportet e energjisë. Instituti vlerëson se Rusia ka bërë 158 miliardë euro nga rritja e çmimeve të karburanteve fosile gjatë pushtimit gjashtëmujor, me importet e BE-së që përbëjnë më shumë se gjysmën e tyre.

Megjithatë, ShBA dhe BE besojnë se aftësia e Moskës për të rifurnizuar ushtrinë e saj është dëmtuar.

Të martën, zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thanë në një përditësim se Rusia po luftonte për të ruajtur furnizimin e saj me dronët e fushëbetejës përballë "humbjeve luftarake" të rëndësishme.

Lajme të ngjashme