Moska thotë se nuk do të rinisë furnizimin me gaz deri në heqjen e sanksioneve - NACIONALE

Moska thotë se nuk do të rinisë furnizimin me gaz deri në heqjen e sanksioneve

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pasi shqetësimet mbi furnizimin me gaz kanë sjellë rritje të çmimeve të gazit, Kremlini ka thënë se Rusia nuk do të rifillojë plotësisht furnizimet e saj në Evropë, derisa Perëndimi të heqë sankionet kundër Moskës.

Duke folur me gazetarët të hënën, Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, fajësoi sanksionet "të vendosura kundër vendit tonë nga vendet perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe" për dështimin e Rusisë për të ofruar gaz përmes gazsjellësit Nord Stream 1.

"Arsyet e tjera që do të shkaktonin probleme me pompimin nuk ekzistojnë," u citua të ketë thënë Peskov nga agjencia e lajmeve Interfax.

Peskov shtoi se rifillimi i plotë i furnizimit me gaz nga Rusia nëpërmjet Nord Stream 1 ishte "pa dyshim" i varur nga Perëndimi dhe vendimi për të hequr ose jo sanksionet ndaj Moskës.

“Janë këto sanksione të vendosura nga shtetet perëndimore që e kanë sjellë situatën në atë që shohim tani”.

The Guardian shkruan se, deklaratat e Peskov janë treguesi më i qartë deri më tani se Rusia synon të detyrojë BE-në të heqë sanksionet e vendosura kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë në këmbim të rifillimit të dërgesave të gazit nga Rusia.

Kujtojmë se të premten, furnizuesi kryesor rus i energjisë Gazprom njoftoi se një pezullim i furnizimeve me gaz që shkon në Perëndim përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të zgjatet për një kohë të pacaktuar, duke përmendur "keqfunksionimet" në një turbinë përgjatë tubacionit.

Në mënyrë të ngjashme, edhe Gazprom ka fajësuar sanksionet perëndimore për ndërprerjen e furnizimit të gazit, duke thënë se prodhuesi Siemens nuk mund të kryente riparime në turbinat e përdorura në Nord Stream 1 për shkak të sanksioneve kundër kompanisë shtetërore ruse të energjisë.

Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga BE-ja,që ka akuzuar Putinin për shantazh ndaj Perëndimir përmes gazit.

Nord Stream 1 është tubacioni i vetëm më i madh për gazin që vjen nga Rusia në Evropë dhe ka kapacitetin për të dhënë 55 miliardë metra kub gaz në vit. Furnizimet e vazhdueshme përmes tubacionit shihen si vendimtare për të parandaluar thellimin e krizës energjetike në kontinent.

E lidhur me këtë situatë, analistët besojnë se pas dështimit në arritjen e shumicës së objektivave të Rusisë në Ukrainë, Kremlini po shpreson për çmime rekord të energjisë së bashku me mungesat e mundshme të ushqimit këtë dimër, të cilat do ta shtyjnë Evropën të forcojë Ukrainën në një armëpushim sipas kushteve të Moskës.

Lajme të ngjashme