Çmimet e gazit rriten me 26% pas mbylljes së tubacionit kryesor për Evropën nga Rusia - NACIONALE

Çmimet e gazit rriten me 26% pas mbylljes së tubacionit kryesor për Evropën nga Rusia

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas njoftimit se Rusia nuk do të rihapë tubacionin e saj kryesor të gazit në Evropë, çmimet e gazit janë rritur për shkak të shqetësimeve për furnizimet me energji.

Sipas The Guardian, çmimi i gazit me shumicë për muajin e ardhshëm në Holandë, një pikë referimi për Evropën, u rrit deri në 30% ditën e hënë.

Gazsjellësi Nord Stream 1 do të rihapej ditën e shtunë pas një mbylljeje tre ditore, por më pas firma shtetërore ruse e energjisë Gazprom tha se kishte gjetur një defekt duke njoftuar se mbyllja do të vazhdojë për kohë të pacaktuar.

Evropa ka akuzuar Rusinë për përdorimin e furnizimeve me gaz për të shantazhuar vendet evropiane për shkak të konfliktit në Ukrainë, të cilin Moska e mohon.

Megjithëse Britania e Madhe nuk mbështetet në Nord Stream 1 për gazin e saj, vendimi i Kremlinit për të ulur furnizimet në Evropë ka rritur koston e përgjithshme të gazit me shumicë. Të hënën, edhe në Mbretërinë e Bashkuar çmimet janë rritur deri në 35%.

Rritja e përgjithshme erdhi pas vendosjes së një limiti të çmimit në faturat e energjisë për konsumatorët në Angli, Uells dhe Skoci.

Ndërkohë, një numër i qeverive evropiane kanë zbuluar plane për të ndihmuar bizneset dhe konsumatorët të përballen me kostot në rritje të energjisë. Të dielën, Gjermania njoftoi një paketë prej 65 miliardë eurosh e cila përfshin pagesa të njëhershme për më të cenuarit dhe lehtësime tatimore për firmat me intensitet energjie.

Gjatë fundjavës, edhe Suedia dhe Finlanda njoftuan paketa shumë miliardë eurosh për të mbështetur kompanitë e energjisë.

"Dimër lufte"

Ministrat e tjerë evropianë kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e furnizimeve me energji si një armë ekonomike kundër atyre që mbështesin Ukrainën. Por, Moska ka mohuar se po kufizon qëllimisht eksportet në prag të dimrit, duke rritur kostot për familjet dhe bizneset.

Firma shtetërore e energjisë Gazprom tha se një rrjedhje nafte në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1 ishte shkak i mbylljes. Megjithatë, arsyeja është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian dhe vetë Siemens, firma gjermane që mirëmban turbinën.

"Rrjedhje të tilla normalisht nuk ndikojnë në funksionimin e një turbine dhe mund të mbyllen në vend. Është një procedurë rutinë brenda fushës së punës së mirëmbajtjes," ka thënë Siemens në një deklaratë.

Gazprom bëri njoftimin për mbylljen e tubacionit të premten, menjëherë pasi vendet e G7 ranë dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse në mbështetje të Ukrainës.

Futja e një kufiri çmimi do të thotë se vendet që nënshkruajnë politikën do të lejohen të blejnë vetëm naftë dhe produkte nafte ruse të transportuara nëpërmjet detit që shiten me ose nën kufirin e çmimit.

Por Rusia thotë se nuk do të eksportojë në vendet që marrin pjesë në këtë marrëveshje.

Ndërkohë, edhe kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se veprimet e Rusisë jo vetëm që mund të rrezikojnë të çojnë në një "dimër lufte", por mund të kenë një efekt negativ në bizneset dhe ekonominë më gjerë.

Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore dhe mund të transportojë deri në 170 milionë metra kub gaz në ditë.

Tubacioni është në pronësi dhe operohet nga Nord Stream AG, aksioneri kryesor i së cilës është Gazprom.

Kjo nuk është hera e parë që nga pushtimi rus i Ukrainës që tubacioni mbyllet.

Në korrik, Gazprom ndërpreu plotësisht furnizimet për 10 ditë, duke përmendur "një ndërprerje mirëmbajtjeje". Furnizimet i rifilloi përsëri 10 ditë më vonë, por në një nivel shumë të reduktuar.

Lajme të ngjashme