Furnizimet me energji, Rusia mbyll sërish tubacionin kryesor të gazit për në Evropë - NACIONALE

Furnizimet me energji, Rusia mbyll sërish tubacionin kryesor të gazit për në Evropë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Duke u arsyetuar se ka nevojë për riparime, Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh.

BBC raporton se, gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, ka thënë se kufizimet në gazsjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për tre ditët e ardhshme.

Kujtojmë se Rusia tashmë ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit. Megjithatë deri më tani vendi ka mohuar se po përdor furnizimet me energji si një armë lufte kundër Perëndimit.

Tubacioni Nord Stream 1 shtrihet rreth 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore.

Ai është hapur në vitin 2011 dhe mund të dërgojë maksimum 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.

Tubacioni ishte mbyllur edhe për 10 ditë në muajin korrik – sipas Rusië, për riparime, ndërsa kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20% kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt.

Ndërkohë, presidenti i rregullatorit të rrjetit të Gjermanisë ka thënë se vendi do të jetë në gjendje të përballojë situatën - nëse Rusia rifillon dërgesat në ditët në vijim.

"Unë supozoj se ne do të jemi në gjendje ta përballojmë atë," tha Klaus Mueller për Reuters. "Unë besoj se Rusia do të kthehet në 20% të shtunën, por askush nuk mund të jetë i sigurtë.”

Udhëheqësit evropianë kanë frikë se Rusia mund të zgjasë ndërprerjen në një përpjekje për të rritur çmimet e gazit, të cilat tashmë janë rritur ndjeshëm.

Megjithatë, njoftimi i sotëm nuk pritet të ndikojë menjëherë në çmime.

Rritja e madhe kërcënon të krijojë një krizë të kostos së jetesës gjatë muajve të dimrit, duke i detyruar potencialisht qeveritë të shpenzojnë miliarda për të lehtësuar barrën.

Të martën, ministrja franceze e tranzicionit të energjisë, Agnes Pannier-Runacher akuzoi Rusinë se "po përdor gazin si armë lufte".

Komenti i saj erdhi pasi Gazprom tha se do të pezullonte dërgesat e gazit për kompaninë franceze të energjisë Engie.

Por zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin i ka hedhur poshtë akuzat - dhe këmbëngul se sanksionet perëndimore kanë shkaktuar ndërprerjet duke dëmtuar infrastrukturën ruse.

Ai këmbënguli se "problemet teknologjike" të shkaktuara nga sanksionet janë e vetmja gjë që pengon Rusinë të furnizojë gaz nëpërmjet tubacionit, pa specifikuar se cilat ishin problemet.

Polemika më e fundit rreth gazit ka qenë mbi një turbinë që mbërriti në Gjermani pasi u riparua në Kanada dhe të cilën Rusia refuzoi ta merrte përsëri, duke argumentuar se ishte subjekt i sanksioneve perëndimore.

Megjithatë, kjo gjë është mohuar nga Gjermania, ku në fillim të këtij muaji, ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se tubacioni ishte plotësisht funksional dhe tha se nuk kishte probleme teknike siç pretendohet nga Rusia.

Kujtojmë se, më parë këtë javë, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen premtoi të ndërhyjë në tregjet e energjisë, duke thënë në një konferencë në Slloveni se ato "nuk janë më të përshtatshme për qëllimin".

“Ne kemi nevojë për një model të ri tregu për energjinë elektrike që me të vërtetë funksionon dhe na kthen në ekuilibër”, tha ajo.

Përpara konfliktit, Gjermania kishte mbështetur, edhe pse jo certifikuar, gazsjellësin Nord Stream 2 prej 10 miliardë eurosh - por i ndërpreu operacionet pas pushtimit rus të Ukrainës.

Lajme të ngjashme