“Ambrey”: Goditet me dron anija amerikane e gazit në një port të Egjiptit - NACIONALE

“Ambrey”: Goditet me dron anija amerikane e gazit në një port të Egjiptit

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një dron goditi një anije cisternë të gazit që është në pronësi amerikane në portin egjiptian të Mesdheut, Damietta, tha të mërkurën kompania britanike për siguri detare, “Ambrey”, duke cituar një vlerësim fillestar të incidentit.

Ministria e Karburanteve e Egjiptit konfirmoi përmes një deklarate se kishte ndodhur një zjarr në port, por nuk përmendi ndonjë sulm me dron, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kompania për shërbime në porte, “Inchcape”, tha në një porosi tjetër se dy cisterna ishin kapluar nga zjarri në Damietta.

Droni e goditi cisternën “Energos Winter”, duke shkaktuar një zjarr që më pas u përhap te një anije tjetër, “Gaslog Salem”, thanë tri burime tregtare të afërta me incidentin.

Dy burime tjera të sigurisë thanë se shkaktar i shpërthimit, sipas vlerësimit, me gjasë ishte një sulm me dron, në atë që mund të sinjalizojë një përhapje të mëtejme të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Asnjë palë nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për incidentin.

Anija “Energos Winter” është në pronësi të kompanisë me seli në Shtetet e Bashkuara, “Energos Infrastructure”. Operacionet e saj teknike, tregtare dhe të sigurisë menaxhohen nga një kompani po ashtu amerikane, “Wilhelmsen Ship Management”.

Ministria e Karburanteve e Egjiptit tha në deklaratë se zjarri shpërtheu në një anije të gazifikimit dhe në një anije për ruajtjen e gazit në portin Damietta dhe në rast u angazhuan menjëherë ekipe të zjarrfikësve dhe të sigurisë, sipas planeve të miratuara për reagim urgjent.

Më tej, në deklaratë thuhet se ministri i Karburanteve, Karim Badawi, shkoi në vendin e ngjarjes për t’i parë përpjekjet e autoriteteve për shuarjen e zjarrit dhe se zjarri nuk shkaktoi lëndime apo viktima dhe se ekipet emergjente e teknike po vazhdonin të punonin dhe ta vlerësonin ndikimin e incidentit./Nacionale

Lajme të ngjashme