Netanyahu irritohet nga thirrja e Macronit për të mos vrarë civilë, ia përmend Parisin
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pas thirrjes së presidentit francez, Emmanuel Macron, që ushtria izraelite të mos vrasë fëmijë e gra në Gaza, duke i thënë se përgjegjës për vdekjen e tyre është Hamasi.
Presidenti francez tha të premten në një intervistë në televizionin BBC se “nuk ka justifikim” për bombardimin e “këtyre foshnjave, këtyre zonjave, këtyre të moshuarve” nga Izraeli gjatë luftës kundër Hamasit dhe e përsëriti thirrjen për armëpushim në Gaza, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Pra, nuk ka arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet, prandaj ne i bëjmë thirrje Izraelit që të ndalet”- shtoi Macroni, duke shprehur shpresë që kësaj thirrjeje do t’i bashkohen edhe udhëheqësit e tjerë perëndimorë.
Sidoqoftë, duket se thirrja për armëpushim nga kreu i njërës prej fuqive evropiane nuk i ka pëlqyer kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e fajësoi Hamasin për viktimat civile.
“Përderisa Izraeli është duke bërë gjithçka që të përmbahet nga lëndimi i civilëve dhe duke u bërë thirrje atyre që të largohen nga zonat e luftimeve, Hamas-ISIS-i po bën gjithçka që t’ua parandalojë atyre largimin për në zona të sigurta dhe po i shfrytëzon si mburoja njerëzore”- tha Netanyahu në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij.
Ai shtoi se Hamasi “në mënyrë mizore po i mban pengjet tona – gra, fëmijë e të moshuar – në një krim kundër njerëzimit” dhe “përdor shkolla, xhami e spitale si qendra komande të terrorit”.
“Këto krime që Hamas-ISIS-i po i kryen sot në Gaza, do të kryehn nesër në Paris, Nju-Jork e në vende të tjera në botë. Udhëheqësit botërorë duhet ta dënojnë Hamas-ISIS-in e jo Izraelin”- tha më tej kryeministri izraelit.
Gjatë intervistës me telvizionin britanik, Macroni tha se Izraeli e ka të drejtën për ta mbrojtur veten pas masakrës së 7 tetorit dhe se Franca “e dënon qartazi” sulmin e udhëhequr nga Hamasi. “E dimë se çfarë do të thotë terrorizmi në Francë”- tha ai.
Më tutje, presidenti francez tha se të gjitha qeveritë dhe agjencitë e ndihmave ishin pajtuar të enjten në Paris, gjatë një konference për ndihma humanitare për Gazën, se e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur civilët e kësaj enklave ishte një pauzë humanitare, e pasuar nga një armëpushim.

