Macroni zbutet për Gazën: Duhet të punojmë drejt një armëpushimi, shpejt pauzë humanitare
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se në Gaza duhet të ketë shpejt një pauzë humanitare dhe se duhet të bëhet përpjekje drejt një armëpushimi.
“Në aspektin e menjëhershëm, duhet të punojmë për t’i mbrojtur civilët. Për ta bërë këtë, na duhet një pauzë humanitare shumë shpejt dhe duhet të punojmë drejt një armëpushimi”- tha presidenti francez në një fjalim të mbajtur në Paris.
“Civilët duhet të mbrohen, kjo është e nevojshme dhe e panegociueshme dhe nevojë e menjëhershme”- shtoi Macroni, raporton gazeta “The Guardian”.
Aleatët e Izraelit i kanë shmangur thirrjet për armëpushim, por, në vend të tij, kanë kërkuar pauza humanitare për ta mundësuar futjen e ndihmave në Gaza. Komentet e Macronit duket se shkojnë më tej, thekson gazeta angleze.
Franca të enjten është nikoqire e një konference humanitare ndërkombëtare për Gazën me qëllim të ofrimit të ndihmës për popullsinë civile, edhe pse nuk ka pritje të larta për ndonjë rezultat domethënës për zgjidhjen e konfliktit.
