Macroni thotë se Franca qëndron krah për krah me Izraelin
Presidenti francez, Emmanuel Macron, u zotua të martën se nuk do ta lërë Izraelin të izoluar në luftën e tij kundër militantëve islamikë, por paralajmëroi kundër rreziqeve për konflikt rajonal, përderisa po qëndron në Izrael.
Pasi u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel-Avivit, Macroni i tha presidentit izraelit, Isaac Herzog, në Jerusalem se Franca qëndron “krah për krah” me Izraelin dhe se objektivi i parë duhet të jetë lirimi i pengjeve në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.
“Dua që të jeni të sigurt se nuk jeni lënë vetëm në këtë luftë kundër terrorizmit. Është detyrë e jona që të luftojmë kundër terrorizmit, pa asnjë hutim dhe pa e bërë më të madh këtë konflikt”- tha presidenti francez.
Përtej shfaqjes së solidaritetit me Izraelin, Macroni dëshiroi që të bënte “propozime që janë sa më operacionale të mundshme” për ta parandaluar eskalimin, për t’i liruar pengjet dhe për ta garantuar sigurinë e Izraelit e për të punuar drejt zgjidhjes me dy shtete, thanë këshilltarët e tij. Ata shtuan se Macroni do të bëjë thirrje edhe për një armëpushim humanitar.
Pallati Elize tha se përpos takimit me presidentin Herzog, Macroni pritet të takohet edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe me udhëheqësit e opozitës në këtë shtet, Benny Gantz e Yair Lapid.
Zyra e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, tha se Macroni do të takohet me udhëheqësin e palestinezëve në Ramallah të Bregut Perëndimor.
Sidoqoftë, aftësia e Macronit për të ndikuar në ngjarjet e rajonit duket e kufizuar nga ai që disa analistë thonë se është ndryshim në drejtim të një vije anglo-amerikane më pro-izraelite, në kundërshtim me qasjen e dalluar tradicionalisht e më pro-arabe të ish-presidentit Charles de Gaulle.
