Macroni arrin në Izrael, ushtria izraelite thotë se kreu sulme ndaj 400 caqeve të Hamasit - NACIONALE

Macroni arrin në Izrael, ushtria izraelite thotë se kreu sulme ndaj 400 caqeve të Hamasit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, arriti të Tel Aviv për ta shprehur “solidaritetin e plotë” të vendit të tij me Izraelin pas sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit nga Hamasi, sipas një gazetari të agjencisë AFP.

Kreu i shtetit francez pritet që të bëjë thirrje edhe për “ruajtjen e popullsisë civile” në Gaza, sipas presidencës franceze, përderisa Izraeli po kryen sulme të pamëshirshme ndaj caqeve të Hamasit në enklavën palestineze dhe po përgatitet për një ofensivë tokësore me qëllim që ta shkatërrojë këtë grup, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Forca e Mbrojtjes të Izraelit thanë se kishin kryer sulme kundër rreth 400 caqeve të Hamasit gjatë 24 orëve të kaluara, duke vrarë disa komandantë fushorë e operativë të tjerë terrori.

Sipas ushtrisë izraelite, sulmet e fundit u përqendruan në pikat ku Hamasi i niste sulmet nga Rripi i Gazës, përfshirë disa xhami, dhe kundër operativëve që përgatisnin raketa kundër Izraelit.

Ushtria izraelite tha, gjithashtu, se gjatë natës i kishte goditur hyrjen e një tuneli të Hamasit në bregdetin e Gazës dhe qendrat e komandës.

Sipas ushtrisë izraelite, nga sulmet e fundit janë vrarë disa oficerë fushorë të Hamasit, përfshirë zëvendëskomandatët e batalioneve Nuseirat, Shati dhe Furqan.

Lajme të ngjashme