Netanyahu i mbledh ministrat të shtunën pas përçarjes rreth hyrjes së karburantit në Gaza
Ministrat qeveritarë të Izraelit do të mblidhen të shtunën në mbrëmje për të diskutuar rreth vendimit të kabinetit të luftës për lejimin e hyrjes ditore të kamionëve me karburant në Gaza.
Ministri i Jashtëm, Eli Cohen, tha në një intervistë të premten në mbrëmje se ai beson që ky vendim duhet të merret nga kabineti i plotë qeveritar. Kabineti urgjent i luftës është grup më i vogël udhëheqësish, që përbëhet nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe Benny Gantz, ish-komandant i ushtrisë izraelite dhe ish-ministër i Mbrojtjes, raporton televizioni CNN.
“Personalisht dhe ideologjikisht, unë jam kundër hyrjes së karburantit [në Gaza]”- tha kryediplomati izraelit, ndonëse pranoi se “sipas së drejtës ndërkombëtare, ne duhet ta lejojmë hyrjen e ujit, ushqimit dhe karburantit”.
“Për këtë arsye, në mesin e këtij diskutimi, kryeministri ka vendosur që ta mbledhë kabinetin nesër në orën 21 e 30 minuta... Sipas mendimit tim, ky vendim duhet të merret nga kabineti i zgjeruar i sigurisë... Dua që së pari t’i dëgjoj të gjithë zyrtarët e sigurisë dhe rekomandimet e tyre e më vonë të merret një vendim”- tha ministri Cohen.
Më herët, edhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kishte paraqitur ankesa për këtë vendim.
“Lejimi i hyrjes së karburantit në Rripin e Gazës është gabim i rëndë që del kundër vendimit të kabinetit. Ai shfaq dobësi dhe i lejon Sinwar-it [udhëheqës politik i Hamasit] që të ulet me rehati në bunkerin me klimë, t’i shikojë lajmet dhe të vazhdojë që t’i manipulojë shoqërinë izraelite dhe familjet e pengjeve”- tha ky ministër në një letër që ia dërgoi kryeministrit Netanyahu e të cilën e publikoi edhe në rrjetin X.
Kombet e Bashkuara kanë nevojë për 200 mijë litra karburant çdo ditë për “t’i plotësuar minimumin e përgjegjësive humanitare në Gaza”, tha të premten shefi i çështjeve humanitare në OKB, Martin Griffiths.
