Nëntë persona raportohet të jenë vrarë në protestat në Iran pas vdekjes së Mahsa Aminit
Raportohet se nëntë persona janë vrarë në protestat në Iran, të nxitura nga vdekja e një gruaje të ndaluar nga policia nën dyshimin se i kishte thyer rregullat për vendosjen e mbulesës së kokës.
Në mesin e viktimave raportohet se është edhe një djalë 16-vjeçar, i qëlluar për vdekje, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestueseve, raporton televizioni BBC.
Kryengritja është përhapur në më shumë se 20 qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Teheran. Në videot e publikuara në internet nga protestat e së mërkurës shihen gra duke i valëvitur mbulesat në ajër ose duke i djegur ato.
“Jo shamisë, jo mbulesës, po lirisë dhe barazisë”, u dëgjuan duke brohoritur protestuesit në një protestë në Teheran.
Në një adresim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se amerikanët qëndrojnë me “gratë e guximshme të Iranit, që tash për tash janë duke protestuar për t’i siguruar të drejtat e tyre themelore”.
Ai foli pasi presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i refuzoi thirrjet nga fuqitë perëndimore për t’i respektuar të drejtat e grave. Kleriku i linjës së ashpër shiite i akuzoi ata për standarde të dyfishta, duke i përmendur zbulimin e varreve pa shenja të fëmijëve autoktonë në Kanada dhe trajtimin e popullit palestinez.
Mahsa Amini, grua 22-vjeçare kurde nga qyteti veriperëndimor, Saqez, vdiq të premten në spital, pas qëndrimit në komë tri ditë.
Ajo ishte duke e vizituar Teheranin me familjen e vet, kur u arrestua nga policia e moralit, që e akuzoi atë për shkeljen e ligjit me të cilin grave u kërkohet mbulimi i flokëve me mbulesë dhe mbulimi i duarve dhe këmbëve me rroba të gjera. Ajo mbeti pa ndjenja, kur u dërgua në një qendër ndalimi, siç u tha, “për t’u edukuar”.
As protests continue across Iran and the number of deaths rising, the #Iranian authorities have shut down Instagram. The most popular social media platform there. This video is from the southern island of Qeshm. #MahsaAmini pic.twitter.com/2wpsCd1MNv
— Rana Rahimpour (@ranarahimpour) September 21, 2022
Ka raportime se policët e kanë rrahur Aminin në kokë me shkop dhe ia kanë përplasur kokën në njërën nga veturat e tyre.
Sidoqoftë, policia ka mohuar se ajo është keqtrajtuar dhe ka thënë se ajo ka pësuar “dështim të papritur të zemrës”. Në anën tjetër, familja e ka kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se ajo ishte e shëndoshë.
Shefja në detyrë për të drejtat e njeriut në OKB, Nala al-Nashif, të martën bëri thirrje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të paanshëm për vdekjen e gruas së re iraniane.
Autoritetet iraniane nuk i kanë konfirmuar vdekjet në protesta, por një prokuror i tha agjencisë së lajmeve “Tasnim” se dy persona janë vrarë nga “elementet anti-revolucionare” të martën./Nacionale
