Në ShBA kërkohet që të ndalohen udhëtimet me Kinën pas shtimit të të prekurve nga sëmundjet e frymëmarrjes
Pesë senatorë republikanë, të udhëhequr nga Marco Rubio, të premten i bënë thirrje administratës së presidentit Biden që t’i ndalojë udhëtimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës pas rritjes së numrit të rasteve me sëmundje të frymëmarrjes në shtetin e madh aziatik.
“Ne duhet që menjëherë ta kufizojmë udhëtimin mes Shteteve të Bashkuara dhe [Kinë] derisa të dimë më shumë për rreziqet që paraqiten nga kjo sëmundje e re”- thuhet në letrën e nënshkruar nga Rubio, i cili është pjesë e Komisionit të Senatit për Inteligjencë, bashkë me senatorët J. D. Vance, Rick Scott, Tommy Tuberville dhe Mike Braun, raporton agjencia “Reuters”.
Shtimi i numrit të të sëmurëve në Kinë u bë çështje globale javën e kaluar, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi nga Pekini më shumë të dhëna, duke cituar një raport për grumbujt e rasteve të pneumonisë së padiagnostikuar te fëmijët.
Një zyrtar i administratës së Bidenit tha se Shtetet e Bashkuara ishin duke e vëzhguar për së afërmi rritjen e numrit të rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes në Kinë, por shtoi: “Po shohim trende sezonale. Asgjë nuk po duket jashtë të zakonshme... Në këtë kohë, nuk ka shenjë se ka një lidhje mes personave që po kërkojnë kujdes në departamentet e urgjencës në ShBA dhe shpërthimit të sëmundjes së frymëmarrjes në Kinë.”
Zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengyu, tha si kundërpërgjigje ndaj letrës së senatorit Rubio: “Pretendimet përkatëse janë në mënyrë të pastër fabrikime me qëllime të këqija. Kina i kundërshton ato vendosmërisht.”
Muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Kina në mënyrë të qëndrueshme e kanë rritur numrin e fluturimeve mes dy vendeve, edhe pse niveli mbetet dukshëm më i ulët se ai i vitit 2019. Numri i miratuar i fluturimeve u rrit në 35 në javë për secilin vend, dukshëm më shumë se 12 në javë, sa ishte në gusht.
Në janar të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Donald Trump, ua kishte ndaluar hyrjen në vend shumicës së qytetarëve joamerikanë që kishin qenë në Kinë rishtazi për shkak të shqetësimit për përhapjen e koronavirusit. Megjithatë, ai nuk i kishte kufizuar fluturimet mes dy vendeve.
