"Natë zhgënjyese për të majtën": Lula nuk arrin të fitojë në raund të parë, Bolsonaro me rezultat të frikshëm - NACIONALE

"Natë zhgënjyese për të majtën": Lula nuk arrin të fitojë në raund të parë, Bolsonaro me rezultat të frikshëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ky artikull është përkthyer nga Nacionale prej The Guardian.

Zgjedhjet e ashpra presidenciale në Brazil do të shkojnë në raund të dytë pasi ish presidenti Luiz Inacio Lula da Silva dështoi të siguronte shumicën e nevojshme për të shmangur balotazhin para presidentit në detyrë të së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaros.

Me më shumë se 99.5 për qind të votave të numëruara, veterani i majtë ka siguruar 48.3 për qind, ose jo mjaftueshëm për të shmangur balotazhin e 30 tetorit kundër rivalit të tij Bolsonaros, që befasoi të gjithë duke marrë një rezultat të frikshëm prej 43.3%.

Duke iu adresuar medieve në një hotel në Sao Paulo, Lula, që ishte president prej vitit 2003 e deri më 2010, u shpreh: “Përpjekja vazhdon deri në fitoren tonë përfundimtare.”

“Do t’i fitojmë këto zgjedhje – kjo për ne është thjesht kohë shtesë,” – u zotua Lula, që në vitin 2018 e kishte të pamundur të garonte.

“... ne duhet të sillemi si ekip futbolli kur një ndeshje shkon në kohën shtesë. Do të pushojmë për 15 minuta dhe më pas do të kthehemi në fushë për të shënuar golat që nuk i shënuam në kohën e rregullt,” –iu tha ai gazetarëve.

Gleisi Hoffman, presidentja e Partisë së Punëtorëve përmes të cilës ka garuar Lula, tha se fushata “nuk ishte as e trishtë e as e dëshpëruar” me rezultatin dhe vuri theksin te më shumë se 56 milionë votat e Lulas.

Por, rezultati zgjedhor ishte një goditje në fytyrë për brazilianët progresistë që kishin shprehur bindjen për një fitore bindëse ndaj Bolsonaros, një ish ushtaraku që vazhdimisht kishte sulmuar institucionet demokratike të vendit dhe që kishte vandalizuar reputacionin ndërkombëtar.

Bolsonaro akuzohet edhe se ka bërë kërdi ndaj ambientit dhe se në mënyrë katastrofale ka keqmenaxhuar pandeminë Covid-19 që mbyti gati 700 mijë brazilianë.

Duke folur të dielen në mbrëmje, Bolsonaro premtoi t’i kushtonte më shumë kohë bindjes së sektorëve më të varfër të shoqërisë se do të ishin më mirë me një qeveri të së djathtës ekstreme.

Ekstremisti u shpreh: “E kuptoj se ka pasur shumë vota (për Lulan) për shkak të kushteve në të cilat jetojnë brazilianët, që po e vuajnë rritjen e çmimeve, veçanërisht të produkteve bazike. E kuptoj se shumë njerëz dëshirojnë ndryshim por ndryshimi mund të ndodh edhe për të keq.”

Ai përsëriti qëndrimin e tij se Brazili nuk duhej të ndiqte kombet si Kili e Kolumbia që së fundi kishin zgjedhur liderë të majtë por refuzoi të përgjigjej mbi çështjen e rëndësishme të mashtrimit të mundshëm me vota që ka ndarë kombin.

Bolsonaro ka lënë të kuptohet se ai nuk do të lë zyrën nëse mposhtet, duke rritur shqetësimet për një kryengritje të stilit të Trumpit në ShBA.

Thiago Amparo, një kolumnist për gazetën Folha de Sao Paulo, tha që rezultati në zgjedhje tregonin se Bolsonaro dhe Bolsonarizmi ishin “gjallë dhe po shqelmonin”.

“Kishte një ndjenjë mes të majtëve se Lula kishte shansa për të fituar në raundin e parë... rezultatet treguan se ishte një mendim dëshiror të imagjinoje se zgjedhjet do të shërbenin si formë për të ndëshkuar Bolsonaron nga politikat e tij shkatërrimtare gjatë pandemisë.”

Komentatori politik nga Rio de Janeiro, Thomas Traumann, u shpreh si vijon: “Kjo është një natë shumë zhgënjyese për të majtën.”

Lajme të ngjashme