Lula po vjen: Sondazhet thonë se ish sindikalisti është afër të fitojë pa balotazh zgjedhjet ndaj populistit Bolsonaro - NACIONALE

Lula po vjen: Sondazhet thonë se ish sindikalisti është afër të fitojë pa balotazh zgjedhjet ndaj populistit Bolsonaro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish presidenti i majtë i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva është afër një rikthimi të mahnitshëm politik, me sondazhet që sugjerojnë se është afër ta mposhtë rivalin e tij nga e djathta ekstreme, Jair Bolsonaron.

Sondazhet në prag të zgjedhjeve thonë që Lula është afër të marrë një fitore qysh në raundin e parë të zgjedhjeve ndaj kundër-kandidatit të tij radikal që ka pezmatuar keq brazilianët.

“Do t’i fitojë këto zgjedhje në mënyrë që t’ju japë njerëzve të drejtën për të qenë të lumtur sërish. Njerëzve iu vyen, e meritojnë dhe kanë të drejtë... të jenë të lumtur përsëri.” – tha 76 vjeçari Lula para gazetarëve.

Jose Roberto de Toledo, një kolumnist i politikës për faqen UOL, tha që Lula pa asnjë dyshim se do të ishte i pari kur të numëroheshin 156 milionë votat e qytetarëve, në ato që po konsiderohen si zgjedhjet më të rëndësishme tash e disa dekada.

Sondazhet i japin veteranit të majtë një epërsi prej 14 pikëve ndaj Bolsonaros, i cili megjithatë mban mbështetjen e një të tretës së votuesve.

Megjithatë, kolumnisti Toledo frikësohet se Lula mund të mos arrijë të marrë 50 për qind të votave sa kërkohen për të fituar pa balotazh. Kjo do t’i çelte derën një muaji të pasigurive dhe të dhunës politike.

“Mendoj që ka më shumë gjasa të ketë një raund të dytë.” – tha Toledo që paralajmëroi për pasoja të tmerrshme nëse kjo gjë ndodh.

“Po të ketë një raund të dytë, do të jetë situata më keq se që ka qenë deri tash. Do të nënkuptonte katër javë të gjakderdhjes,” - vazhdoi komentin e tij ai.

Nëse Lula fiton, kjo do të paraqiste një ringjallje të pamendueshme për ish sindikalistin që ishte bërë presidenti i parë brazilian i klasës punëtore në vitin 2002.

Lula ishte tërhequr pas dy mandatesh në vitin 2010 me shkallën e popullaritetit në 90 për qind. Por, partia që kishte themeluar pas largimit të tij ishte zhytur në skandale korrupsioni dhe u akuzua për futjen e vendit në një recesion brutal.

Rënia e Lulas u vulos më 2018 kur ai u burgos mbi akuza të korrupsionit dhe iu ndalua të merrte pjesë në zgjedhje, e të cilat u fituan nga Bolsonaro. 580 ditët e Lulas në burg dukeshin si fundi melankolik i një jete përrallore që e ngriti atë nga varfëria rurale në një prej liderëve më popullorë të botës.

Por, Lula i lirua në vitin 2019 dhe u zbulua që akuzat ndaj tij kishin qenë të pabaza.

Tashmë, mbështetësit e Lulas janë të entuziazmuar me ringjalljen e liderit të tyre dhe zotimeve për t’i dhënë fund varfërisë e urisë.

“Kur ai e la pushtetin, gjithçka shkoi në mut,” tha Iracy Batista, një mbështetës 78 vjeçar i kandidatit.

“Lula është njeri i popullit, krejt si ne... Krejt çka Bolsonaro bën është t’i shajë njerëzit,” u pajtua shoqja e tij, Clelia Maria da Silva.

Por, ka një frikë e ankth të madh në lidhje me mënyrën se si do ta pranojë humbjen Bolsonaro – i njohur për admirimin e diktatorëve si Augusto Pinochet. Disa frikësohen që ai mund të nxis trazira të ngjashme me ato në ShBA pasi ka vënë në pikëpyetje sistemin elektronik të votimit të Brazilit dhe ka refuzuar ta konfirmojë nëse do ta pranojë ose jo humbjen.

I pyetur nëse po komplotonte për të bërë puç gjatë një transmetimi televiziv të enjten, Bolsonaro refuzoi të komentonte. Ai ka portretuar zgjedhjet si betejë mes të drejtëve të krishterë dhe të këqijve e të korruptuarëve të majtë.

Lajme të ngjashme