Pamje: Policia braziliane fut një burrë në veturë dhe i hedh gaz, vdekja e tij nxit zemërim
Vdekja nga asfiksia e një burri me ngjyrë, i incizuar duke i mbajtur nga dy policë brazilianë brenda pjesës së pasme të veturës zyrtare të mbushur me tym, ka shkaktuar zemërim të shumë brazilianëve.
Në videon e incizuar në Umbauba, në rajonin veriore brazilian, Sergipe, policët shihen duke e mbajtur me forcë 38-vjeçarin Genivaldo de Jesus Santos në pjesën e pasme të veturës përderisa tymi i bardhë, që duket se është gaz lotsjellës, del nga vetura.
Burri dëgjohet duke bërtitur, ndërsa këmbët e tij, të mbetura pjesërisht jashtë veturës, lëvizin për disa sekonda dhe më pas ndalen. Duket se policët nuk mërziteshin fare për praninë e njerëzve përreth tyre.
Shumë njerëz e shprehën zemërimin e tyre në rrjetet sociale, ndërsa të mërkurën në Umbauba u mbajt një protestë. Protestuesit bllokuan një rrugë dhe dogjën goma, raporton agjencia “Associated Press”.
Paralajmërim: Videoja e mëposhtme përmban pamje të ndjeshme. Nuk sugjerohet shikimi nga personat e ndjeshëm dhe fëmijët.
OMG:
— Alan MacLeod (@AlanRMacLeod) May 26, 2022
In broad daylight, police in Brazil 🇧🇷 stuff a man with learning difficulties into an improvised gas chamber, killing him immediately.pic.twitter.com/Q8gbLTrzoH
Në një deklaratë, Policia Federale e Autostradave tha se burri kishte shfaqur sjellje agresive dhe se po bënte rezistencë aktive para policëve që e kishin ndalur. Policia tha se burri u sëmur gjatë transportimit në një stacion policor dhe u dërgua në spital, ku u konfirmua vdekja e tij.
Zëdhënësi i institutit shtetëror të forenzikës në Sergipe, George Fernandes, tha se konkluzioni preliminar i autopsisë është që burri ka vdekur nga dështimi i organeve të frymëmarrjes për shkak të asfiksisë mekanike.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, tha se do të marrë vesh nga Policia Federale e Autostradave se çfarë ka ndodhur. Ai gjithashtu përmendi një incident tjetër, i cili ndodhi para dy javëve, kur një burrë qëlloi dy policë në detyrë.
Policia Federale ka nisur një hetim për këtë rast. Instituti i forenzikës duhet ta dorëzojë raportin përfundimtar e më të zgjeruar në Policinë Federale brenda dhjetë ditëve./Nacionale