“Mjekët pa Kufij”: Mungesa e furnizimeve në spitalet e Gazës do të shkaktojë shumë viktima
Mungesa e furnizimeve në Gaza “do të vrasë shumë, shumë njerëz”, tha Avril Benoit,drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Mjekët pa Kufij”.
Ajo i tha televizionit CNN se organizatës shpesh i humb kontakti me ekipin e saj në spitalin “Al-Shifa” në Gaza për shkak të mungesës së energjisë elektrike, pamundësisë për t’i rimbushur telefonat dhe ndërprerjes së shpeshtë të sinjalit, duke e bërë “të vështirë marrjen e të dhënave në kohë reale”.
“Ajo që ne e dimë është se bashkërenduesi ynë mjekësor ka paralajmëruar se karburanti po binte një nivel të ulët katastrofal”- shtoi zonja Benoit.
Sipas saj, ka mungesë të ilaçeve kundër dhimbjes dhe kjo gjë ka vazhduar për goxha kohë.
“Ka mungesë reale të anestezionit dhe, përsëri, ato ekipe kirurgjikale do të detyrohen që të kursejnë. Do të detyrohen që të zgjedhin se kush do ta marrë (anestezionin) e kush jo, kush di të hyjë në operacionin jetëshpëtues, kush jo”- shtoi ajo.
Njerëzit në Gaza janë “të dërrmuar, përfshirë ekipet mjekësore, që kanë qenë duke punuar tërë kohën”, tha më tej drejtoresha ekzekutive e organizatës së njohur.
“Secili është i dehidruar, i kequshqyer, i uritur. Është rrethanë vërtet e vështirë në të cilën edhe të ketë mundësi për përqendrim në një reagim të nevojshëm për viktimat masive”- shtoi ajo.
“Është absolutisht jetë apo vdekje në këtë pikë. Orë pas ore, është thelbësore që ato ndihma humanitare të futen. Jemi thellësisht të shqetësuar për fatin e secilit që i ka rënë të ndodhet në Gaza tash për tash, ku asnjë vend nuk është i sigurt”- tha zonja Benoit.
