Shkon në mbi 4.100 numri i të vrarëve në Gaza, shifër shokuese e fëmijëve
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha të premten se numri i të vrarëve nga 7 tetori në Rripin e Gazës ka shkuar në 4.127.
Sipas kësaj ministrie, në mesin e të vrarëve janë 1.661 fëmijë, raporton televizioni CNN.
Përpos të vrarëve, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf Al-Qidra, tha se deri më tani janë plagosur 13 mijë e 162 persona.
Zyra e OKB-së për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare paralajmëroi të enjten se në Gaza, spitalet janë buzë kolapsit për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ilaçeve, pajisjeve e personelit.
Në anën tjetër, në Izrael që nga fillimi i konfliktit raportohet të jenë vrarë rreth 1.400 persona, duke e çuar në mbi 5.500 numrin e të vrarëve në të dyja anët që nga fillimi i konfliktit.
