Sunaku arrin në Izrael, ShBA-ja thotë se ndihmat në Gaza mund të hyjnë nga e premtja
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, arriti të enjten në mëngjes në Tel Aviv të Izraelit. Ai pritet të takohet me homologun izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe me presidentin e vendit, Isaac Herzog.
Gjatë këtyre takimeve të nivelit të lartë, kryeministri britanik pritet të kërkojë që të lejohen hyrja e ndihmave në Gaza dhe largimi i britanikëve që kanë mbetur të ngujuar në zonë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ai tha se shpërthimi vdekjeprurës në një spital të Gazës të martën, ku u vranë qindra palestinezë, duhet të jetë “moment vendimtar për udhëheqësit në rajon dhe në mbarë botën për t’u bërë bashkë që të shmanget eskalimi i mëtejmë e i rrezikshëm i konfliktit”, duke u zotuar se Britania do të jetë “në ballë të kësaj përpjekjeje”.
Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të ShBA-së kanë thënë se 20 kamionë me ndihma për Gazën do të fillojnë që të lëvizin nëpër pikëkalimin “Rafah” të Egjpitit jo më herët se nga e premtja, sepse Egjipti fillimisht duhet ta riparojë rrugën matanë kufirit, që është dëmtuar nga sulmet ajrore izraelite.
Më shumë se 200 kamionë dhe rreth tre mijë tonë ndihma janë vendosur në pikëkalimin “Rafah” ose afër tij, që është lidhja e vetme e Gazës me Egjiptin, sipas drejtorit të Gjysmëhënës së Kuqe për Sinain Verior, Khalid Zayed. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se 20 kamionë do të lejohen që të hyjnë në enklavë.
Edhe pse kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm, sasia e ndihmave që pritet të hyjnë në Gaza nuk e plotësojnë nevojën e perceptuar të civilëve.
Shefi i ndihmave në OKB, Martin Griffiths, tha të mërkurën në Këshillin e iguirmit se Kombet e Bashkuara synojnë që nivelin e ndihmave për Gazën ta kthejnë në 100 kamionë në ditë, siç ishte para fillimit të konfliktit mes Izraelit e Hamasit.
