Mediat palestineze raportojnë për dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Dhjetëra palestinezë u vranë në Gaza të shtunën nga sulmet ajrore të forcave izraelite, thanë mediat palestineze, pasi ShBA-ja i bëri thirrje Izraelit që ta ulte nivelin e fushatës ushtarake dhe t’i shënjestronte më me saktësi udhëheqësit e Hamasit.
Të paktën 14 persona vdiqën nga sulmet që goditën dy shtëpi në Rrugën “Gaza e Vjetër” në Jabalia, ndërsa dhjetëra të tjerë u vranë nga një sulm që goditi një shtëpi tjetër në të njëjtin qytet, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA.
Sipas agjencisë palestineze, një numër i madh i civilëve kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, përcjell agjencia “Reuters”.
Ushtria izraelite tha se aeroplanët e saj vunë në shënjestër një ndërtesë në Jabalia, pasi forcat e saj u ballafaquan me zjarr dhe një numër i militantëve të Hamasit u identifikuan në kulmin e objektit. Qe e paqartë nëse ndërtesa ishte e njëjta për të cilën agjencia WAFA raportoi se ishte goditur.
Forcat izraelite thanë se vranë militantë të fshehur në dy shkolla të qytetit Gaza dhe bastisën banesa në Khan Younis të mbushura me armë, si dhe zbuluan atë që e quajtën infrastrukturë nëntokësore që përdorej nga Hamasi.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur këto raportime.
Në kohën e luftimeve intensive tokësore në mbarë Rripin e Gazës dhe pas paralajmërimeve të organizatave të ndihmave për një katastrofë humanitare, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Izraeli rrezikon që ta humbë përkrahjen ndërkombëtare për shkak të sulmeve ajrore pa dallim, nga të cilat po vriten civilë palestinezë.
Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, e vizitoi Izraelin të enjten dhe të premten dhe i dërgoi një porosi këtij vendi që ta ngushtojë fushatën e gjerë ushtarake e të kalojë në operacione me shënjestra më specifike kundër udhëheqësve të Hamasit, thanë zyrtarët amerikanë.
Gjatë vizitës së Sullivanit, zyrtarë izraelitë, megjithatë, theksuan publikisht se do ta vazhdojnë luftën derisa ta arrijnë qëllimin për zhbërjen e Hamasit, synim që mund të marrë disa muaj.