Bideni: Bombardimet pa dallim po i kushtojnë Izraelit në përkrahje, Netanyahu duhet të ndryshojë - NACIONALE

Bideni: Bombardimet pa dallim po i kushtojnë Izraelit në përkrahje, Netanyahu duhet të ndryshojë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në disa prej kritikave më të ashpra, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i kritikoi të martën kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar për kundërshtimin e zgjidhjes me dy shtete, përderisa paralajmëroi se ky vend po e humb mbështetjen globale për shkak të bombardimeve pa dallim në Gaza.

“Netanyahu është mik i mirë, por mendoj se ai duhet të ndryshojë dhe… Kjo qeveri në Izrael po ia bën atij shumë të vështirë që të lëvizë”- tha presidenti amerikan gjatë një organizimi për mbledhjen e fondeve për fushatë në Uashington, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Bideni e kritikoi me emër ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare, politikan i së djathtës ekstreme, Ben Gvir, dhe i përsëriti fjalët që i kishte thënë në korrik: “Kjo është qeveria më konservatore në historinë e Izraelit”.

“Ata nuk duan që të ketë shpagim – që duhet të duan – për atë që e bëri Hamasi, por kundër të gjithë palestinezëve… Ata nuk duan asgjë me palestinezët”- shtoi presidenti amerikan, duke e përsëritur pozicionin e ShBA-së që Hamasi nuk i përfaqëson të gjithë palestinezët dhe se nuk duhet të vuajnë të gjithë banorët e Gazës për shkak të sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë i kritikoi edhe udhëheqësit palestinezë, edhe pse nuk saktësoi nëse po u drejtohej Hamasit apo Autoritetit Palestinez. “Palestinezët nuk janë qeverisur mirë fare”- tha ai.

Netanyahu e ka ashpërsuar retorikën e tij kundër Ramallahut që nga nisja e luftës. Ai tha të hënën në një panel të Kuvendit të Izraelit se dallimi i vetëm mes Autoritetit Palestinez dhe Hamasit është që i pari dëshiron që ta shkatërrojë Izraelin në faza, ndërsa i dyti menjëherë.

Lajme të ngjashme