Mediat izraelite: Siç i dha afat ShBA-ja, Izraeli po përgatitet për ta ndryshuar strategjinë në Gaza - NACIONALE

Mediat izraelite: Siç i dha afat ShBA-ja, Izraeli po përgatitet për ta ndryshuar strategjinë në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite është duke u përgatitur për ta ndryshuar strategjinë në Gaza, duke kuptuar se e ka nxjerrë atë që ka mundur nga luftimet e intensitetit të lartë dhe tani duhet të bëhet gati për angazhim me nivel më të ulët por në periudhë afatgjatë me qëllim të rrëzimit të Hamasit, tha një reporter i televizionit “Channel 12”.

Ndryshimi i raportuar vjen pikërisht në kohën për t’u përputhur me kërkesat e ShBA-së që Izraeli t’i pakësojë bombardimet e shumta dhe shtimin e trupave në zona urbane dhe mu në kohën e afatit jozyrtar të janarit, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Sipas gazetarit Dvori, ushtria do të krijojë një zonë neutrale një kilometër të gjerë brenda Rripit të Gazës në kufirin me Izraelin, duke e zgjeruar zonën e tillë ekzistuese. Trupat tokësore, të marra kryesisht nga të rekrutuarit, do ta pushtojnë atë zonë për t’u siguruar që banorët e Gazës të mos mund ta arrijnë rrethojën me Izraelin dhe të nisin bastisje të përpikta, tha Dvori, por prania e ushtarëve do të jetë në masë të konsiderueshme më e vogël se që është tani.

Ai nuk përmendi ndonjë burim për këto të dhëna, por reporterët e ushtrisë izraelite shpesh njoftohen për planet e ushtrisë sipas rregullave me të cilat u kërkohet që t’i paraqesin ato që u kërkohet t’i publikojnë si “analiza” të tyre.

“Supozimi prapa ndryshimit të strategjisë është që mposhtja totale e Hamasit nuk do të arrihet përmes një ofensive tokësore masive, por përmes një lufte të gjatë të gërryerjes”- tha reporteri izraelit.

“Mund të nevojiten muaj, ndoshta edhe vjet, por krijimi i një realiteti të ri në Gaza do të kërkojë një proces diplomatik dhe lëvizje ekonomike në mesin e atyre në ushtri”- shtoi ai.

Në një takim të parlamentit izraelit, shefi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, Yuli Edelstein, theksoi se përderisa luftimet përparojnë, Izraeli “është duke kaluar në tranzicion nga faza e dytë në të tretën” të operacionit ushtarak në Gaza dhe se publiku duhet të përgatitet për një luftë të gjatë.

Në fund të tetorit, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se ofensiva tokësore e vendit të tij nuk do të ishte e mjaftueshme për ta mposhtur Hamasin, synim për të cilin do të kërkohet një fazë e tretë e ndërmjetme e luftimeve, gjatë së cilës Izraeli do të fillojë që të kërkojë udhëheqësi të re për enklavën palestinezë, përderisa do t’i çrrënjosë “xhepat e rezistencës”.

Lajme të ngjashme