Dënohet me burgim të gjatë edhe babai i të riut që vrau dy nxënës e dy mësues në ShBA - NACIONALE

Dënohet me burgim të gjatë edhe babai i të riut që vrau dy nxënës e dy mësues në ShBA

2 orë më parë

nga NACIONALE

Colin Gray, babai nga Georgia e ShBA-së, i biri i të cilit vrau katër njerëz në një shkollë më 2024, të enjten u dënua me 15 vite burgim në një rast që po shihet si test për kufizimet e asaj se kush mund të mbahet përgjegjës në rastet e sulmeve masive.

“Z. Gray kreu krime, por krimet e tij janë të lidhura me krimet e kryera nga i biri i tij dhe kjo e bën situatën paksa unike. Ka rëndësi që ti nuk pate njohuri të vërtetë se Colti [biri i tij] ishte duke shkuar në shkollë për ta bërë këtë. Ka rëndësi që ti nuk kreve një krim qëllimisht. Ka rëndësi që ti nuk planifikove sulm. Ka rëndësi që ti nuk synove të lëndosh askënd. Ka rëndësi që ti nuk e tërhoqe këmbëzën [e armës]” – i tha gjykatësi Nicholas Primm babait të dënuarit për vrasje të katërfishtë gjatë shqiptimit të dënimit, raporton televizioni CNN.

I veshur me uniformë burgu, 55-vjeçari po merrte frymë rëndë, por nuk reagoi pas shqiptimit të dënimit.

Gray ishte shpallur fajtor më herët këtë vit për vrasje dhe vrasje nga pakujdesia, pasi i kishte blerë të birit pushkë të stilit AR-15 si dhuratë për Krishtlindje dhe e kishte lënë atë të pasiguruar, pavarësisht paralajmërimeve se adoleshenti paraqiste rrezik për të tjerët. Akuzat ishin mbështetur në “neglizhencën kriminale” e jo në ndonjë qëllim të babait.

Gjykimi ndaj tij është pjesë e një shtytjeje më të gjerë për t’i mbajtur përgjegjës prindërit e të rinjve që kryejnë sulme masive. Ai është prindi i parë i një sulmuesi të shkollës që dënohet për vrasje.

Vetëm dy ditë më parë, gjykatësi i njëjtë, në sallën e njëjtë të gjyqit, e dënoi të birin e Gray-t, Colt-in 16-vjeçar, me burgim të përjetshëm pa mundësi lehtësimi.

Lajme të ngjashme