Korea e Veriut mund të dërgojë punëtorë ndërtimi në zonat e pushtuara nga rusët në Ukrainë
Ndërsa lufta në Ukrainë shkon në muajin e saj të shtatë, Korea e Veriut ka lënë të kuptohet se po e mendon dërgimin e punëtorëve të ndërtimit në Ukrainë, për të ndihmuar në rindërtimin e territoreve te pushtuara nga Rusia në lindje të vendit.
Sipas Associated Press, kjo ide është mbështetur hapur nga zyrtarë dhe diplomatë të lartë rusë, të cilët parashikojnë një fuqi punëtore të lirë që mund të punojë në "kushtet më të vështira".
Ambasadori i Koresë së Veriut në Moskë kohët e fundit është takuar me të dërguar nga dy territore separatiste të mbështetura nga Rusia në rajonin Donbas të Ukrainës dhe ka shprehur optimizëm për bashkëpunim në "fushën e migracionit për motive punësimi", duke përmendur lehtësimin e kontrolleve kufitare pandemike të vendit të tij.
Bisedimet e fundit kanë ardhur pasi Korea e Veriut në korrik u bë vendi i tretë pas Rusisë dhe Sirisë që njohu pavarësinë e territoreve, Donetsk dhe Luhansk.
Megjithatë, punësimi i punëtorëve të Koresë së Veriut në Donbas do të binte në kundërshtim me sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosura ndaj Veriut për programet e tij bërthamore dhe raketore dhe do të komplikonte më tej nismën ndërkombëtare të udhëhequr nga ShBA-ja për çarmatimin e saj bërthamor.
Ndërsa, eksportet e fuqisë punëtore do të kontribuojnë gjithashtu në një strategji afatgjatë të Koresë së Veriut për forcimin e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, një tjetër aleat ideologjik, në një partneritet në zhvillim që synon reduktimin e ndikimit të ShBA-së në Azi.
Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin ka thënë se kompanitë e ndërtimit të Koresë së Veriut janë ofruar tashmë të ndihmojnë në rindërtimin e zonave të shkatërruara nga lufta në Donbas dhe se punëtorët koreano-veriorë do të mirëpriten në vend.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka vlerësuar më herët se rreth 100,000 koreano-veriorë janë duke punuar jashtë shtetit në punë të rregulluara nga qeveria, kryesisht në Rusi dhe Kinë, por edhe në Afrikë, Lindjen e Mesme, Evropë dhe Azinë Jugore.
Ekspertët civilë thonë se punëtorët fitonin 200 deri në 500 milionë dollarë në vit për qeverinë e Koresë së Veriut, ndërkohë që futnin në xhep vetëm një pjesë të pagave të tyre, shpesh duke u munduar për më shumë se 12 orë në ditë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme nga agjentët e sigurisë së vendit të tyre.

