Kërcënimi nga Korea e Veriut, ShBA dhe Korea e Jugut nisin stërvitjen më të madhe ushtarake ndër vite - NACIONALE

Kërcënimi nga Korea e Veriut, ShBA dhe Korea e Jugut nisin stërvitjen më të madhe ushtarake ndër vite

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në mes të një kërcënimi bërthamor në rritje nga Korea e Veriut, ShBA dhe Korea e Jugut kanë nisur stërvitjen më të madhe ushtarake ndër vite.

Stërvitjet “Ulchi Freedom Shield” që po mbahen në Korenë e Jugut do të vazhdojnë deri më 1 shtator dhe përfshijnë ushtrime në terren me avionë, anije luftarake, tanke dhe potencialisht dhjetëra mijëra trupa.

Sky News shkruan se, këto stërvitje mund të tërheqin zemërimin e Phenianit, i cili e ka shtyrë aktivitetin e tij të testimit të armëve në një ritëm rekord këtë vit, ndërsa kërcënon vazhdimisht konflikte me Seulin dhe Uashingtonin mes një bllokimi të zgjatur në diplomaci.

Ndërsa, Cho Joong-hoon, një zëdhënëse e ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, e cila merret me çështjet ndërkoreane, tha se Jugu nuk ka zbuluar ende ndonjë aktivitet apo shenjë të pazakontë nga Veriu.

Kujtojmë se, vitet e fundit Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut kishin anuluar disa nga stërvitjet e tyre të rregullta për të krijuar hapësirë ​​për diplomaci me Korenë e Veriut.

E stërvitjet e fundit vijnë pasi javën e kaluar Korea e Veriut hodhi poshtë ofertën e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për të shkëmbyer hapat e denuklearizimit dhe përfitimet ekonomike.

Ky propozim nga Jugu u komentua nga motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Yo Jong – e cila e përshkroi propozimin e Yoon si marrëzi dhe theksoi se Veriu nuk ka ndërmend të shkëmbejë një arsenal që vëllai i saj me sa duket e sheh si garancinë e tij më të fortë të mbijetesës.

Ajo kritikoi ashpër Yoon për vazhdimin e stërvitjeve ushtarake me ShBA-në dhe gjithashtu për dështimin e Seulit për të ndaluar aktivistët civilë të Koresë së Jugut që të fluturojnë me balona përtej kufirit fletëpalosje propagandistike kundër Phenianit dhe "mbeturina të tjera”.

Lajme të ngjashme