OKB-ja e akuzon për shkelje të të drejtave të ujgurëve, Kina e quan raportin trillim perëndimor - NACIONALE

OKB-ja e akuzon për shkelje të të drejtave të ujgurëve, Kina e quan raportin trillim perëndimor

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një raport të pritur prej kohësh në lidhje me ujgurët dhe grupet etjera etnike kryesisht myslimane, OKB-ja ka akuzuar Kinën për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që mund të përbëjnë "krime kundër njerëzimit".

Sipas Associated Press, ky raport është denoncuar nga Pekini si një trillim i gatuar nga vendet perëndimore.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Kinën se ka futur një milion ose më shumë njerëz nga grupet minoritare në kampet e paraburgimit, ku shumë prej tyre kanë thënë se janë torturuar, sulmuar seksualisht dhe janë detyruar të braktisin gjuhën dhe fenë e tyre.

Kampet ishin vetëm një pjesë e asaj që organizatat e të drejtave të njeriut e kanë quajtur një fushatë të pamëshirshme kundër ekstremizmit në provincën e largët perëndimore të Xinjiang që përfshinte gjithashtu politika drakoniane të kontrollit të lindjes dhe kufizime gjithëpërfshirëse në lëvizjen e njerëzve.

Vlerësimi i dalë nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut me bazë në Gjenevë kryesisht ka vërtetuar raportimet e mëhershmë të studiuesëve, grupeve të avokimit dhe lajmet e mediave.

Raporti, duket se ka sjellur një lehtësim për ujgurët që kanë ikur jashtë shtetit, sepse shumë nga ta jetonin me frikë se asnjëherë nuk do të botohej.

“Raporti është goxha dënues dhe një aktakuzë e fortë për krimet e Kinës kundër njerëzimit”, tha Rayhan Asat, një avokat ujgur, vëllai i të cilit është i burgosur në Xinjiang. “Për vite me radhë, qeveria kineze ka thënë se ujgurët janë terroristë. Tani, ne mund t'u tregojmë atyre dhe të themi, ju jeni terroristët."

Raporti është mirëpritur shpejt nga grupet e të drejtave të njeriut, Japonia dhe Gjermania.

Vlerësimi i lëshuar vonë të mërkurën arriti në përfundimin se Kina ka kryer shkelje serioze të të drejtave të njeriut sipas politikave të saj anti-terroriste dhe anti-ekstremiste dhe bën thirrje për "vëmendje urgjente" nga OKB-ja, komuniteti botëror dhe vetë Kina që t’i trajtojë ato.

Grupet e të drejtave të njeriut poashtu rinovuan thirrjet për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili mblidhet muajin e ardhshëm, që të krijojnë një organ të pavarur ndërkombëtar për të hetur akuzat.

Në anën tjetër, Kina në shenjë zemërimi ka lëshuar një përgënjeshtrim prej 122 faqesh të titulluar, "Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Xinjiang: E ​​vërteta dhe faktet”.

Gjetjet në raportin e OKB-së u nxorrën pjesërisht nga intervistat me ish-të burgosur dhe persona të tjerë të njohur me kushtet në tetë qendra paraburgimi. Ata përshkruanin se ishin rrahur me shkopinj, dhe si janë marrë në pyetja ndërsa u është hedhur ujë në fytyrë.

Lajme të ngjashme