Kongresi i ShBA-së i miraton rregullat e reja të zgjedhjeve, zor të kontestohet rezultati - NACIONALE

Kongresi i ShBA-së i miraton rregullat e reja të zgjedhjeve, zor të kontestohet rezultati

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kongresi i Shteteve të Bashkuara të premten e miratoi legjislacionin për ndryshimin e ligjit të certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo është përpjekja më e fuqishme deri më tani për ta shmangur përsëritjen e përpjekjeve si ajo e ish-presidentit Donald Trump për ta zhbërë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ndryshimin e Aktit për Numërim Zgjedhor si pjesë e projektligjit për buxhetin, pasi Senati e miratoi legjislacionin e njëjtë të enjten. Legjislacioni tani i dërgohet presidentit Joe Biden për ta nënshkruar e për t’u bërë zyrtarisht ligj.

Presidenti amerikan, përmes një deklarate të publikuar të premten, e çmoi përfshirjen e këtyre dispozitave në projektligjini për buxhetin, duke i quajtur ato “veprim kritik dypartiak që do të ndihmojë për t’u siguruar që vullneti i popullit të ruhet”.

Kjo është kundërpërgjigjja më domethënëse që Kongresi ka bërë deri më tani ndaj përpjekjeve agresive të Trumpit për ta rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe një hap që është kërkuar nga komisioni hetues i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili e ka kryer hetimin më të plotë për rrethimin e dhunshëm të ndërtesës së Capitol-it, shkruan “Associated Press”, përcjell “Nacionale”.

Dispozitat për amendamentimin e ligjit të vitit 1887 – i cili është kritikuar se është i shkruar në mënyrë të dobët e të paqartë – e morën përkrahjen e të dy partive dhe do t’ua bëjnë më të vështirë humbësve të zgjedhjeve presidenciale përpjekjen për ta parandaluar vendosjen e fituesve në Shtëpinë e Bardhë, siç bëri Trumpi më 6 janar 2021.

“Është një arritje monumentale, sidomos në këtë atmosferë dypartiake, për një rishkrim kaq domethënës të një ligji që është aq jetik për demokracinë tonë”- tha Rick Hasen, profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë. “Ky ligj bën rrugë të gjatë drejt mbylljes së kanaleve që Trumpi dhe aleatët e tij u munduan t’i përdornin më 2020 dhe që do të mund të shfrytëzoheshin në zgjedhjet e ardhshme”- shtoi ai.

Më 6 janar 2021, Trumpi e vuri në shënjestër ratifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi. Ai u mundua që ta shfrytëzonte rolin e nënpresidentit për leximin e zgjedhësve të shteteve duke e nxitur Mike Pence-n që ta bllokonte procesin e zgjedhjes së Bidenit president përmes mosleximit të disa shteteve ku Bideni kishte fituar.

Dispozitat e reja bëjnë të qartë se përgjegjësitë e nënpresidentit në këtë proces janë thjesht ceremoniale dhe se nënpresidenti nuk ka pushtet për të përcaktuar se kush, në të vërtetë, i ka fituar zgjedhjet presidenciale.

Lajme të ngjashme