FBI-ja mori dokumente shumë sekrete gjatë bastisjes së shtëpisë së Trumpit - NACIONALE

FBI-ja mori dokumente shumë sekrete gjatë bastisjes së shtëpisë së Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

FBI-ja mori dokumente sekrete e të ndjeshme nga rezidenca “Mar-a-Lago” e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Florida, sipas disa dokumenteve të gjykatës të publikuara të premten, pasi një gjykatës federal e publikoi urdhrin për autorizimin e bastisjes së papritur këtë javë.

Sipas një dokumenti të publikuar nga gjykata, agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) morën 11 grumbuj dokumentesh të klasifikuara gjatë bastisjes të hënën, raporton agjencia “Associated Press”.

Në mesin e dokumenteve të sekuestruara janë jo vetëm disa me shenjën “top secret”, por edhe disa “informata të ndjeshme të ndara”, kategori e posaçme për mbrojtjen e sekreteve më të rëndësishme kombëtare, që, nëse publikohen, do të mund të shkaktonin dëme “jashtëzakonisht të rënda” për interesat e ShBA-së. Në dokumentet e gjykatës, megjithatë, nuk u dhanë hollësi të saktësuara për informatat që dokumentet e sekuestruara mund të përmbajnë.

Në urdhrin për bastisje thuhet se agjentët federalë janë duke e hetuar shkeljen e mundshme të tri ligjeve të ndryshme federale, përfshirë atë që i trajton grumbullimin, transmetimin ose humbjen e të dhënave të mbrojtjes sipas Aktit të Spiunazhit.

Dokumentet e gjykatës gjithashtu përmbajnë informacione se agjentët federalë mblodhën të dhëna të tjera të mundshme presidenciale, përfshirë urdhrin për faljen e aleatit të Trumpit, Roger Stone dhe të dhëna për presidentin e Francës.

Gjatë bastisjes u sekuestruan edhe disa fotografi, një dorëshkrim, “dokumente të përziera sekrete” dhe “dokumente të përziera konfidenciale”, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Në një deklaratë të publikuar të premten, ish-presidenti Trump pretendoi se të gjitha dokumentet e sekuestruara nga agjentët ishin të deklasifikuara dhe tha se do t’i kishte kthyer ato, nëse do t’i kërkohej nga Departamenti i Drejtësisë.

Përderisa presidentët në pushtet përgjithësisht kanë autoritet që të deklasifikojnë informata, kjo e drejtë hiqet menjëherë pas largimit nga zyra dhe nuk është e qartë nëse dokumentet e sekuestruara janë deklasifikuar më parë.

Trumpi kishte vazhduar që t’i mbante dokumentet pavarësisht nga shumë kërkesa të agjencive, përfshirë Arkivin Kombëtar, që t’i kthente dokumentet presidenciale në përputhje me ligjet federale.

Bastisja e rezidencës së ish-presidentit Trump të hënën ishte pjesë e një hetimi të vazhdueshëm të Departamentit të Drejtësisë për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara të Shtëpisë së Bardhë, të sekuestruara nga shtëpia e Trumpit më herët këtë vit. Arkivi Kombëtar kishte kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë që të zhvillojë hetime, pasi kishte deklaruar se 15 kuti me dokumente, të marra nga prona, përmbanin të dhëna të klasifikuara./Nacionale

Lajme të ngjashme