Raportohet se FBI-ja ia bastisi shtëpinë Trumpit për dokumente të klasifikuara të armëve bërthamore
Është raportuar se agjentët e FBI-së po kërkonin dokumente sekrete për armë bërthamore në mesin e materialit të klasifikuar, kur të hënën e bastisën shtëpinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Gazeta “The Washington Post” citoi njerëz të afërt me hetimet të kenë thënë se dokumentet e armëve bërthamore mendohet se ishin në grumbullin e letrave që FBI-ja po i kërkonte në resortin “Mar-a-Lago” në Florida. Gazeta nuk saktësoi nëse dokumentet kishin të bëjnë me arsenalin e ShBA-së apo të ndonjë vendi tjetër.
Raporti erdhi disa orë pasi prokurori i përgjithshëm i ShBA-së, Merrick Garland, tha se ai personalisht e ka autorizuar kërkesën e qeverisë për urdhrin e bastisjes dhe zbuloi se Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar nga një gjykatë në Florida që urdhri të jetë i hapur, duke vënë në pah se vetë Trumpi e ka bërë publike bastisjen.
Ish-presidenti amerikan lëshoi më vonë një deklaratë në të cilën tha se nuk do ta kundërshtojë, por do ta inkurajojë lëshimin e menjëhershëm të atyre dokumenteve, shkruan “The Guardian”.
Trumpi ishte veçanërisht i dhënë pas arsenalit bërthamor të ShBA-së gjatë qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë dhe mburrej që kishte qasje në të dhëna shumë sekrete.
Në verën e vitit 2017, ai u kishte thënë udhëheqësve ushtarakë amerikanë se dëshiron arsenal bërthamor të krahasueshëm me kulmin e Luftës së Ftohtë, masë që do të kërkonte dhjetëfishim të arsenalit.
Ish-presidenti amerikan kishte kërcënuar publikisht se do t’i fshinte nga faqja e dheut Korenë Veriore dhe Afganistanin./Nacionale
