Një ditë pas bastisjes së shtëpisë së Trumpit, FBI-ja ia konfiskon telefonin kongresistit aleat të tij - NACIONALE

Një ditë pas bastisjes së shtëpisë së Trumpit, FBI-ja ia konfiskon telefonin kongresistit aleat të tij

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ditë pas bastisjes së shtëpisë së ish-presidentit Trump në Florida, FBI-ja të martën ia konfiskoi telefonin kongresistit republikan, Scott Perry, i cili është aleat i Trumpit. Këtë gjë e bëri të ditur vetë Perry.

“Këtë mëngjes, gjatë udhëtimit me familjen time, tre agjentë të FBI-së më vizituan dhe ma konfiskuan telefonin”, tha Perry.

Ai pretendoi se agjentët “nuk bënë përpjekje që ta kontaktonin avokatin tim, i cili do ta bënte punën që ata ta kishin telefonin tim, nëse kjo ishte dëshira e tyre”.

“Jam i indinjuar – ndonëse jo i befasuar – që FBI-ja, nën direktivën e Departamentit të Drejtësisë të Merrick Garland-it do ta konfiskonte telefonin e një anëtari të Kongresit”, thuhet në deklaratën e kongresistit Perry.

“Këto lloje të taktikave të banana-republikës do të duhej ta shqetësonin secilin qytetar”, shtoi ai, shkruan agjencia “Anadolu”.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën tha se rezidenca e tij, “Mar-a-Lago”, në Florida është bastisur nga FBI-ja, duke e cilësuar operacionin si sulm.

“Shtëpia ime e bukur, Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, tash për tash është nën rrethim, e bastisur dhe e pushtuar nga një grup i madh i agjentëve të FBI-së”, tha ai në një deklaratë.

Ai e kritikoi operacionin, duke thënë se “një sulm i tillë do të mund të ndodhte vetëm në vendet e thyera të botës së tretë”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara tashmë janë në atë grup të vendeve, “të korruptuara në një nivel që nuk është parë më herët”.

“Ata madje ma thyen kasafortën time”, pretendoi ish-presidenti amerikan, duke vajtuar se “asgjë si kjo nuk i ka ndodhur më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”.

Ai i akuzoi kundërshtarët për shkelje prokuroriale dhe përdorim të sistemit të drejtësisë si armë.

Sipas raportimeve të medieve amerikane, duke cituar njerëz të afërt me hetimet, bastisja e shtëpisë së miliarderit lidhet me materialet që ai mund t’i ketë dërguar në rezidencë./Nacionale

Lajme të ngjashme