Izraeli vret me sulme ajrore tre komandantë të “Xhihadit Islamik”, tri gra e tre fëmijë
Të paktën 12 palestinezë, përfshirë tre komandantë të grupit militant “Xhihadi Islamik”, janë vrarë nga sulmet ajrore të Izraelit në Rripin e Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se tri gra e tre fëmijë janë në mesin e të vdekurve. 20 persona të tjerë janë lënduar, raporton televizioni BBC.
Izraeli tha se kishte nisur një operacion që kishte në shënjestër militantë që paraqisnin kërcënim të menjëhershëm ndaj qytetarëve të tij.
Grupi “Xhihadi Islamik” është zotuar për hakmarrje dhe pritet që militantët në Gaza të kundërpërgjigjen me hedhjen e raketave në drejtim të Izraelit.
Korrespondentët thonë se një faktor i rëndësishëm do të jetë niveli i përfshirjes së grupit “Hamas”. Thuhet se zyrtarët izraelitë janë duke u përgatitur për luftime që pritet të zgjasin disa ditë.
Dyzet aeroplanë luftarakë e helikopterë të forcave izraelite sulmuan në disa valë para agimit në Gaza, duke goditur shtëpi e duke shkaktuar panik te banorët.
Ushtria izraelite tha se përpos shënjestrimit të tre militantëve, aeroplanët e saj sulmuan dhjetë qendra që përdoreshin për të prodhuar armë dhe gjashtë objekte ushtarake të “Xhihadit Islamik”.
Krahu ushtarak i këtij grupi, Brigadat al-Quds, konfirmoi se tre komandantë të tij janë në mesin e të vrarëve, duke i identifikuar si Jihad Shaker al-Ghannam, sekretar i Këshillit Uhstarak të Brigadave al-Quds, Khalil Salah al-Bahtini, komandant i Rajonit Verior, dhe Tariq Muhammad Ezzedine, udhëheqës i aktiviteteve ushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha: “Secilin terrorist, që i lëndon qytetarët izraelitë, do ta bëjmë që të pendohet për këtë.”
