Palestinezët e sulmojnë Izraelin pas vdekjes së Adnanit në burg, plagosen tre persona, një seriozisht - NACIONALE

Palestinezët e sulmojnë Izraelin pas vdekjes së Adnanit në burg, plagosen tre persona, një seriozisht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aeroplanët luftarakë izraelitë e sulmuan Rripin e Gazës, përderisa grupet e armatosura palestineze në atë pjesë hodhën disa raketa drejt Izraelit si reagim për vdekjen e një figure të dalluar palestineze, Khader Adnan, i cili vdiq në një burg izraelit pas 87 ditëve në grevë urie.

Tymi u pa në qiell të martën vonë, pasi aeroplanët goditën disa caqe në të cilat ushtria izraelite tha se u përfshinë qendrat për prodhimin e armëve dhe kampet e trajnimit të grupit “Hamas”, i cili e qeveris enklavën e bllokuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Në të njëjtën kohë, sirenat e alarmit u dëgjuan në disa qytete në jug të Izraelit, përfshirë Ashkelonin, 14 kilometra në veri të Gazës. Radioja e Hamasit raportoi se grupet militantë në zonë ishin duke hedhur raketa si kundërpërgjigje për vdekjen e Adnanit, i lidhur me grupin “Xhihadi Islamik”.

Ushtria izraelite tha se të paktën 30 raketa janë hedhur nga Gaza. Dy prej tyre ranë në qytetin Sderot, në lindje të Gazës, duke lënduar tre persona, përfshirë një shtetas të huaj 25-vjeçar, për të cilin thuhet se ka pësuar plagë serioze nga copëzat e predhave.

Adnani, i cili ishte duke e pritur gjykimin, u gjet pa vetëdije në qelinë e tij dhe u dërgua në spital, ku u shpall i vdekur pas përpjekjeve për ta shpëtuar, tha Shërbimi i Burgjeve i Izraelit. Ai është i burgosuri i parë palestinez që vdes në ndalim të autoriteteve izraelite për më shumë se tri dekada.

Qindra njerëz dolën në rrugët e Gazës dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor për ta vajtuar vdekjen e Adnanit, të cilën udhëheqësit palestinezë e përshkruan si vrasje.

Në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, në dyqane u mbajt grevë e përgjithshme. Disa protestues dogjën goma dhe hodhën gurë drejt ushtarëve izraelitë, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës e plumba gome. Nuk pati raportime për të lënduar.

Lajme të ngjashme