Izraeli kërkon që 1,1 milion banorë në veri të Gazës të zhvendosen në jug brenda 24 orëve, OKB-ja kundër - NACIONALE

Izraeli kërkon që 1,1 milion banorë në veri të Gazës të zhvendosen në jug brenda 24 orëve, OKB-ja kundër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria izraelite i ka thënë OKB-së se kushdo që jeton në pjesën veriore të Gazës duhet të vendoset në jug të enklavës gjatë 24 orëve të ardhshme, sipas një zëdhënësi të Kombeve të Bashkuara.

OKB-ja thotë se kjo masë përfshin rreth 1,1 milion njerëz ose rreth gjysmën e tërë popullsisë së Gazës. Në atë pjesë përfshihet edhe qyteti Gaza, që ka popullsi të dendur, raporton televizioni BBC.

Paralajmërimi u dha pak para mesnatës, sipas kohës lokale.

“Kombet e Bashkuara konsiderojnë se është e pamundshme që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja humanitare shkatërruese”- thuhet në një deklaratë të OKB-së.

Izraeli ka qenë duke u përgatitur për një ofensivë tokësore, duke grumbulluar ushtarë, artileri të rëndë e tanke në kufirin me Gazën. Forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme ajrore në Gaza nga e shtuna, pas fillimit të sulmit të befasishëm të Hamasit në jug të Izraelit.

OKB-ja kundër urdhrit

Kombet e Bashkuara në një deklaratë kanë thënë se “apelojnë fuqishëm që një urdhër i tillë, nëse konfirmohet, të anulohet për ta shmangur atë që tashmë është tragjedi e që mund të shndërrohet në situatë katastrofale”.

Zyrtarët ndërlidhës të ushtrisë izraelite u kanë treguar udhëheqësve të ekipeve të OKB-së në Gaza për urdhrin e evakuimit. Në urdhër përfshihen edhe tërë stafi i OKB-së dhe personat e strehuar në objektet e kësaj organizate, përfshirë shkollat, qendrat shëndetësore dhe klinikat.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet që të premten pasdite të mbajë një takim urgjent në formatin e konsultimeve me dyer të mbyllura.

Izraeli ka reaguar kundër deklaratës së OKB-së për urdhrin e evakuimit. Gilad Erdan, ambasador i Izraelit në Kombet e Bashkuara, tha se vendi i tij po u jep paralajmërim të hershëm banorëve të Gazës dhe po mundohet që “ta minimizojë dëmin ndaj atyre që nuk janë të përfshirë” në operacionin ushtarak kundër Hamasit.

“Për shumë vjet, OKB-ja i ka mbyllur sytë para armatimit të Hamasit dhe përdorimit të popullsisë civile e infrastrukturës civile nga ky grup në Rripin e Gazës si vend për fshehjen e armëve e vrasjeve të tij”- tha ambasadori izraelit.

Lajme të ngjashme