OKB-ja e godet Izraelin për sulmet në Gaza: Ky është ndëshkim kolektiv
Një grup i pavarur i ekspertëve të Kombëve të Bashkuara të enjten i dënuan dhunën ndaj civilëve në Izrael, ndërsa sulmet izraelite në Gaza i cilësuan ndëshkim kolektiv.
Duke i dënuar “krimet e tmerrshme të kryera nga Hamasi”, grupi i ekspertëve thanë se Izraeli kishte zgjedhur “sulme ushtarake pa dallim kundër popullit palestinez tashmë të dërrmuar të Gazës”, raporton agjencia “Reuters”.
“Ata kanë jetuar nën bllokadë të paligjshme për 16 vjet dhe tashmë kanë kaluar nëpër pesë luftëra të rëndësishme brutale, të cilat mbeten pa sqarim”- thuhet në një deklaratë të grupit të ekspertëve të OKB-së, ku bëjnë pjesë disa raportues të posaçëm të kësaj organizate.
“Kjo përbën ndëshkim kolektiv. Nuk ka justifikim për dhunën që vë në shënjestër pa dallim civilë të pafajshëm, qoftë nga Hamasi apo forcat izraelite. Kjo është absolutisht e ndaluar sipas së drejtës ndërkombëtare dhe përbën krim lufte”- thuhet më tej në deklaratë.
