Rriten numrat e viktimave në Izrael e Gaza, paralajmërohet aksion i gjerë ushtarak
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, thotë se vendi i tij është duke u përgatitur për një fushatë të gjerë ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Ndërkohë, raportohet se numrat e viktimave janë rritur te të dyja palët.
“Kombi im është duke mbajtur zi. Kjo tragjedi ka prekur pothuajse secilën shtëpi në Izrael. Do të jetë një fushatë e gjatë kundër Hamasit, që në thelb është një fushatë e gjatë ndaj ISIS-it”- tha ai, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Herzogu shfaqi para gazetarëve disa pamje të fëmijëve e foshnjave të rrëmbyera, duke shtuar se disa të mbijetuar të Holokaustit janë vrarë, familje të tëra janë masakruar së bashku dhe iu është vënë flaka gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, numri i të vdekurve në Izrael që nga fillimi i sulmit ka shkuar në 1.300 persona. Rreth 3.300 të tjerë janë lënduar, përfshirë 28 në gjendje kritike e 350 në gjendje serioze.
Në anën tjetër, Hamasi ka thënë se 1.203 palestinezë janë vrarë e 5.769 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë thënë se kanë vrarë rreth 1.500 “terroristë” palestinezë në territor të Izraelit.
Në kohën e tensioneve të larta, rajonin po e viziton sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken. Ai pritet të takohet me udhëheqësit izraelitë e palestinezë.
