Ban Ki-mooni thotë se trajtimi i palestinezëve nga Izraeli mund të përbëjë aparteid
Izraeli është duke iu afruar aparteidit dhe duke u larguar edhe më tej nga shpresa për krijimin e një shteti palestinez, tha të enjten ish-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gjatë një vizite në rajon.
Ish-zyrtari i lartë ndërkombëtar tha se gjatë vizitës së tij treditore, e cila rastisi në kohën e shtimit të dhunës vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor, ka hasur në një realitet më të zymtë se ai me të cilin ishte ballafaquar gjatë kohës kur ishte në krye të OKB-së nga viti 2007 deri më 2016, raporton agjencia “Associated Press”.
Ai tha se kishte parë shenja, përmes zgjerimit të vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor dhe përmes kufizimeve më të ashpra kundër palestinezëve, se një sistem aparteidi ishte duke lëshuar rrënjë.
“Mendoj se situata është përkeqësuar. Thjesht po mendoj se, siç po thonë shumë njerëz, kjo mund të përbëjë aparteid”- shtoi Ban Ki-mooni, duke thënë se është i shqetësuar se zgjidhja me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez po venitet.
Ish-sekretari e vizitoi rajonin në emër të “Pleqve”, grup burrështetasish që angazhohet për ndërtimin e paqes dhe në nisma për të drejtat e njeriut në botë. Bashkë me ish-presidenten e Irlandës, Mary Robinson, ai u takua me udhëheqës izraelitë e palestinezë si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Ai tha se dëgjoi nga grupet lokale për të drejtat e njeriut se Izraeli ishte duke e kryer krimin e aparteidit.
Grupe të të drejtave të njeriut në Izrael dhe në vende të tjera i kanë akuzuar këtë shtet dhe pushtimin 56-vjeçar të Bregut Perëndimor për ndërtimin e një sistemi aparteidi për të cilin thonë se u jep palestinezëve status të klasës së dytë dhe se është i dizajnuar për ta mbajtur hegjemoninë hebreje nga Lumi “Jordan” deri në Detin Mesdhe.
Në Afrikën Jugore të periudhës së aparteidit, një sistem i mbështetur në supremacinë e bardhë dhe në veçimin racor ishte në fuqi nga viti 1948 deri më 1994. Grupet për të drejtat e njeriut i kanë mbështetur konkluzionet e tyre në konventa ndërkombëtare si Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Në këtë dokument, aparteidi përshkruhet si “regjim i institucionalizuar i shtypjes dhe mbizotërimit të vazhdueshëm nga një grup racor ndaj një grupi tjetër racor”.
