Irani e paralajmëron Rusinë që të mos ia mbajë anën Azerbajxhanit në mosmarrëveshjen kufitare - NACIONALE

Irani e paralajmëron Rusinë që të mos ia mbajë anën Azerbajxhanit në mosmarrëveshjen kufitare

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Qeveria e re reformiste e Iranit e ka paralajmëruar Rusinë kundër animit me Azerbajxhanin në një mosmarrëveshje kufitare, përderisa në Teheran vazhdojnë shqetësimet rreth marrëdhënieve të Bakusë me Moskën.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Sayeed Abbas Araghchi, e bëri hapin e pazakontë për qortimin e Rusisë, pasi Moska ia mbajti anën Azerbajxhanit për thirrjet e tij për një korridor tokësor përgjatë kufirit Armeni – Iran, për të cilin Teherani ka frikë se mund ta kufizojë qasjen e tij në Evropë dhe më gjerësisht në botë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal nuk janë thjesht parapëlqim, por shtyllë e sigurisë sonë kombëtare. Çfarëdo kërcënimi nga veriu, jugu, lindja ose perëndimi i integritetit territorial të fqinjëve tanë ose rivizatimi i kufijve është tërësisht i papranueshëm dhe vijë e kuqe për Iranin” – shkroi kryediplomati iranian në rrjetin X.

Përplasja ka ndërlikime më të gjera gjeopolitike, nëse dëshmohet që pushteti i porsazgjedhur iranian është i gatshëm që të marrë pozicion më të rreptë në raport me Moskën si pjesë e përpjekjes për ribaraspeshimin e politikës së jashtme.

Rusia dhe Irani pritet që të nënshkruajnë një marrëveshje të re për bashkëpunim strategjik, por përmbajtja e saj është ende e hapur për debat dhe brenda Qeverisë së Iranit ekzistojnë tensione për çmimin diplomatik të thellimit të aleancës ushtarake me Rusinë, që e ka shkaktuar përdorimin e dronëve të prodhimit iranian kundër qyteteve në Ukrainë.

Irani më herët këtë javë e thirri në takim ambasadorin rus, Alexey Dedov, për t’ia shprehur pakënaqësinë rreth qëndrimit të Moskës, duke thënë se nuk donte një konflikt të krijuar në kufijtë iranianë me inkurajimin e Moskës.

Komentet e kryediplomatit iranian ishin referencë e qartë ndaj vendimit të Moskës për të mbështetur një thirrje nga Azerbajxhani për hapjen e një korridori lindje – perëndim nëpër territorin e Armenisë deri në eksklavën Nakhchivan, në perëndim të Armenisë.

Regjimi iranian historikisht i ka kundërshtuar përpjekjet azere dhe turke për ta hapur të ashtuquajturin korridor Zangezur mes Azerbajxhanit dhe Republikës Autonome të Nakhchivan-it, sepse një korridor i tillë, që do të kalonte nëpër provincën më jugore të Armenisë, mund ta shkëpusë qasjen e Iranit në Armeni e pastaj në Evropë.

Azerbajxhani në periudha të ndryshme ka kërcënuar se do ta hapte këtë korridor edhe me forcë, nëse do të ishte e nevojshme, që me gjasë do të nxiste një luftë tjetër me Armeninë.

Buxheti i mbrojtjes i Azerbajxhanit është më shumë se trefish më i madh se ai i Armenisë dhe Bakuja e dëshmoi superioritetin e vet ushtarak në shtator të vitit të kaluar përmes rimarrjes së territoreve të pushtuara në Nagorno-Karabak brenda 24 orëve.

Përplasja e re u nxit nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili gjatë një vizite rishtazi në Baku nga presidenti Vladmir Putin se Moska e mbështet hapjen e korridorit dhe se Armenia po e sabotonte marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia për hapjen e tij./Nacionale

Lajme të ngjashme