Hungaria e akuzon Ukrainën se po planifikon t’ia pengojë sistemin energjetik, paralajmëron trupa
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e akuzoi Ukrainën të mërkurën se po planifikon që ta pengojë sistemin energjetik hungarez dhe tha se do të dislokojë trupa për ta ruajtur infrastrukturën, duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje që e ka minuar konsensusin evropian pro Ukrainës.
Hungaria dhe Sllovakia, udhëheqësit e të cilëve dallohen në Bashkimin Evropian për mbajtjen e marrëdhënieve me Rusinë, e fajësojnë Kievin për një ndërprerje në naftësjellësin “Druzhba” që i furnizon rafineritë e tyre me naftë të papërpunuar ruse që pompohet nëpër Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ukraina thotë se naftësjellësi u dëmtua nga një sulm rus me dronë në janar dhe se po mundohet që ta rregullojë sa më shpejt që mundet.
Në një video të publikuar në rrjetin “Facebook”, Orbani i përsëriti akuzat se ndërprerja në “Druzhba” ishte për “arsye politike, jo teknike”.
“Po shoh që Ukraina po përgatit veprime të mëtejme për ta penguar operimin e sistemit energjetik hungarez. Prandaj, unë e kam urdhëruar përforcimin e mbrojtjes për infrastrukturën energjetike kritike. Kjo do të thotë se ne do të dislokojmë ushtarë dhe pajisje që janë të nevojshme për t’i sprapsur sulmet afër objekteve kyçe të energjisë” – tha kryeministri hungarez.
Në mesin e masave gjithashtu përfshihen më shumë patrulla policie dhe ndalimi i fluturimit të dronëve në disa zona.
Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Hungaria dhe Sllovakia, anëtare të NATO-s dhe BE-së, nuk pajtohen me vendet partnere të Bashkimit Evropian rreth mbështetjes ushtarake për Ukrainën, e cila, sipas tyre, po e zgjat luftën.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha të mërkurën se të dhënat që janë në dispozicion tregojnë se naftësjellësi “Druzhba” mund të jetë në operim dhe për vonesën e fajësoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Presidenti ukrainas thjesht ndoshta beson se mund të bëjë çfarë të dëshirojë, por ai e ka shumë, shumë gabim” – tha Fico./Nacionale